Futboll

Fitojnë Atletico, Liverpool dhe Dortmund, Napoli ndalet në Serbi

Pa shumë surpriza dhe ekipet pretendente që kanë marrë tre pikët e para, kështu janë mbyllur ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve për fazën e grupeve. Me Inter dhe Barcelonën që fituan në ndeshjet e orës 18:55, ishte radha e Liverpool, Dortmund dhe Atletico Madrid që të merrnin tre pikët e para.

Gjermanët e Borusia Dortmund kanë vuajtur, por deri në fund kanë arritur të marrin tre pikët në transfertën e vështirë belge të Club Brugge në rezultatin 0-1. Fitore e vështirë ka qenë edhe ajo e Atletico Madrid në Monako. Skuadra e Simeone ka përmbysur golin e parë të vendasve brenda pjesës së parë, duke triumfuar 1-2.  Ndërkohë Galatasaray ka fituar në shifrat e thella 3-0 me Lokomotiv Moscow, duke i merituar tre pikët e para.

Sakaq dy sfidat e tjera të kësaj mbrëmje të parë të Ligës së kampionëve janë mbyllur në barazim. Napoli është ndalur në shifrat 0-0 me Cervena Zvezda në Serbi, ndërsa sfida Schalke-Porto është mbyllur në shifrat 1-1.

Ndërsa në përballjen kryesore të kësaj mbrëmje mes Liverpool dhe PSG të gjithë tifozët kanë parë spektaklin e vërtetë që ofron ky kompeticion. Gola, penallti, grintë dhe spektakël, praktikisht në këtë ndeshje kemi parë çdo gjë dhe mund të konsiderohet si reklama më e mirë e Ligës së Kampionëve. Në fund ata që kanë dalë fitimtare ishin anglezët që ia dolën të marrin tre pikët e para, duke triumfuar në shifrat 3-2.

Ditën e mërkurë luhen edhe 8 ndeshjet e tjera të fazës së grupeve, ku gjithashtu emocionet dhe spektakli është i garantuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë