Këshilli i Ministrave miratoi sot një projektvendim, që përcakton procedurat, mënyrën e administrimit dhe institucionet përkatëse që do të administrojnë bazën e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se, “ky vendim është pjesë e një pakete shumë më të gjerë të MK-s, për parandalimin e trafikimit të pasurive kulturore të vjedhura, që synon krijimin e një databaze më të gjerë të dhënash për pasuritë kulturore të vjedhura, për ta bërë të aksesueshëm atë dhe për ta lidhur me reformat e ndryshme të Ministrisë dhe qeverisë, me atë që njihet si reforma digjitale dhe për tu zgjeruar me reforma të tjera, që lidhen me licencimin e tregtisë së veprave të artit, duke e kthyer Ministrinë në një faktor kyç jo vetëm në monitorim, por edhe në dialogimin dhe rritjen e kapacitetit të bizneseve më vonë, duke u futur në këtë databazë të gjerë”.
Sipas saj, ka qenë një punë e gjatë që ka filluar me BE, që ka mbështetur për krijimin e kuadrit ligjor. “Kemi parë mundësinë nëpërmjet këtij databaze që të krijojmë edhe më tepër sinergji me institucionet siç është Interpoli, apo Drejtoria Përgjithshme e Policisë, por e kemi shtrirë databazën edhe në atë të biznesit dhe Gjendjes Civile”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera, Ministrja Margariti tha se kjo është një nismë që është përqafuar edhe nga SHBA.
Ajo solli në vëmendje nënshkrimin e marrëveshjes me Departamentin e Shtetit Amerikan, në fund të muajit gusht të këtij vitit, për parandalimin e trafikimit të pasurive kulturore, siç u shpreh ajo, “për të shtrirë fushën e influencës të MK, jo vetëm në territorin shqiptar dhe atë të BE-së, në kuadër të lidhjes sinergjike që kemi krijuar me këtë paketë, por duke krijuar edhe më tepër mbështetje edhe përtej kufijve nga ekspertë që kanë një eksperiencë të shtuar në këtë fushë”.
Margariti theksoi gjithashtu se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili deri tani ka operuar si një mbledhës informacionesh nga terreni, ka filluar të ketë një qasje ndërkombëtare.
“Vitin që shkoi kemi pasur konfirmimin nga UNESCO për regjistrimin e të dhënave të dukurive jomateriale. Duke i shtuar kësaj radhe edhe këtë pjesë të databazës fillojmë të ngremë rrjetin e gjerë informativ që krijon mundësi punësimi për të rinjtë”, u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



