Analize

Anëtarësimi i Ballkanit dhe pikëpyetjet që janë ndezur në Bruksel mbi rolin e Olivér Várhelyit

Ndërsa udhëheqësit e BE -së po përgatiten të takohen me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor të mërkurën, ata mund të kërkojnë të pyesin njeriun kyç të Komisionit Evropian për një pikëpamje të paanshme të tij rreth përpjekjeve të rajonit në përmbushjen e standardeve demokratike, që një ditë t’i bashkohen bllokut.

Por në të njëjtën kohë mund të mos e bëjnë këtë gjë.

Sipas më shumë se një duzine zyrtarësh nga institucione të shumta dhe një analize të dokumenteve të brendshme, Komisioneri Evropian Olivér Várhelyi ka mbikqyrur dhënien e një shtytje për të minimizuar shqetësimet rreth sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut tek kandidatët që synojnë të anëtarësohen në BE.

Dhe megjithëse diplomati hungarez ka për qëllim të japë vlerësime të barabarta për të gjithë anëtarët e mundshëm, ai nuk po e bën këtë gjë me Serbinë-përkundër faktit se Beogradi nuk ka arritur të bëjë përparim në çështjet kryesore dhe madje ka bërë regres në disa, sipas vëzhguesve të demokracisë.

Qasja e Várhelyi, komisionerit evropian për zgjerimin dhe fqinjësinë, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Turqi është jashtë hapit me shumë vende të BE -së.

Ai gjithashtu bie në kontrast me udhëzimet e Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen kur ai u emërua në vitin 2019.

“Respekti për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit duhet të jenë bazat për bashkëpunimin tonë ndërkombëtar,” i shkruan Von der Leyen.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka hedhur poshtë vazhdimisht pikëpamjet e institucioneve të BE -së mbi sundimin e ligjit dhe demokracisë, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për kritikat ndaj mandatit të tij. Ai ka mbrojtur aspiratat e BE -së për Serbinë, fqinjin jugor të Hungarisë, të sunduar nga aleati i tij, Presidenti Aleksandar Vučić. Të dy burrat janë akuzuar gjerësisht për prirje autoritare.

 Várhelyi, i cili më parë shërbeu si ambasador i Hungarisë në BE, nuk pranoi të intervistohej për këtë artikull.

Në përgjigjet me shkrim të pyetjeve, ai mbrojti qëndrimet e tij, përfshirë përpjekjet për sundimin e ligjit.

Ai vuri në dukje se kishte mbikëqyrur një rishikim të metodologjisë së Komisionit për vlerësimin e vendeve kandidate që i kushtuan më shumë vëmendje sundimit të ligjit.

Por zyrtarë të tjerë të Komisionit Evropian, diplomatë të BE -së dhe anëtarë të Parlamentit Evropian nuk janë dakord.

Një zyrtar i komisionit tha se, komisioneri hungarez që mban portofolin e zgjerimit “dobëson qartë politikën e BE -së për Ballkanin Perëndimor në planin afatgjatë dhe i vë në dyshim pretendimet e këtij Komisioni gjeopolitik”.

Një diplomat i BE tha se Várhelyi kishte mbajtur fjalime para ambasadorëve dhe ministrave të BE që “nuk kishin asnjë ngjashmëri me realitetin nga pikëpamja e shteteve anëtare”.

“Komisioneri Várhelyi e ka bërë prioritet përshpejtimin e negociatave të zgjerimit me Serbinë,” shkroi Maciej Popoëski, kreu në detyrë i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit për Negociatat e Zgjerimit dhe  dhe Fqinjësisë, në një email drejtuar stafit në shkurt.

“Ndërsa kjo varet para së gjithash, nga reformat në Serbi, ne duhet të jemi gati për të ecur përpara në anën e BE -së sapo Serbia të demonstrojë përparimin e nevojshëm.”

Kabineti i tij (Varhelyit) ndërkohë (një rreth i brendshëm i ndihmësve të zgjedhur) është përpjekur të fshijë ose pakësojë gjuhën në tekstet zyrtare për dështimet demokratike të Serbisë, sipas zyrtarëve dhe dokumenteve të brendshme.

Ato përpjekje qëndrojnë në kontrast me vlerësimet e shumta të gjendjes së sundimit të ligjit në Serbi nga OJQ -të dhe analistët e pavarur.

OJQ Freedom House e vlerësoi Serbinë si “pjesërisht të lirë” në indeksin e saj “Liria në Botë 2021”, duke shkruar se “Partia Progresive Serbe në pushtet (SNS) ka gërryer në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile “.

Edhe pse Serbia është përfshirë në negociatat e pranimit në BE që nga viti 2014, ajo renditet përkrah vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në indeksin që ende nuk kanë filluar bisedimet e anëtarësimit, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në Indeksin e fundit mbi Demokracinë,  Serbia regjistroi rezultatin e saj më të ulët në historinë e indeksit, qysh prej vitit 2006.

Megjithatë, sipas dy zyrtarëve të Komisionit, kabineti i Várhelyi përmirësoi vlerësimin mbi Serbinë për të dhënë një pamje më pozitive të çështjeve të sundimit të ligjit në draft raportin e zgjerimit të këtij viti, i cili rishikon përparimin e vendeve kandidate.

I pyetur për ndryshimet në vlerësimin mbi Serbinë, Várhelyi tha në një email se “vlerësimi i përparimit të vendeve në rrugën e reformës së BE -së i nënshtrohet një procesi të gjatë, me një vendim përfundimtar të marrë nga Kolegji [i Komisionerëve] si trup kolegjial”.

Ai tha se ishte një proces politik dhe se “përparësitë e BE -së në Ballkanin Perëndimor janë pasqyruar plotësisht në raport”.

Por kjo nuk është hera e vetme që kabineti i komisionerit ka kërkuar të anulojë opinionin e ekspertëve për Serbinë.

Në qershor të këtij viti, departamenti i Várhelyi gjithashtu kundërshtoi një përshkrim të vlerësimit të vetë Komisionit për sundimin e ligjit në Serbi si “të zymtë” nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, një mbikëqyrës i BE -së, sipas një dokumenti dërguar gjykatës.

Dhe Várhelyi vetë u ankua në një letër përcjellëse për “një seri citimesh të studiuesve të caktuar” në raportin e auditorëve dhe kërkoi të rishqyrtoheshin.

Por ndërsa Várhelyi nuk ishte i prirur që ekspertët akademikë të citoheshin në një raport zyrtar, ai ka qenë i lumtur të ofrojë pikëpamjen e tij optimiste për të dhënat e Beogradit.

“Është shumë e qartë se në Serbi procesi i reformave ka marrë një shtysë të re,” i tha ai të përditshmes hungareze pro-qeveritare Magyar Nemzet në një intervistë muajin e kaluar.

Nën procesin e pranimit në BE, vendet kandidate punojnë me Komisionin për të përmbushur kushtet përmes “kapitujsh” të ndryshëm që grupohen në grupe të caktuara.

Stafi i Komisionit thotë se ka pasur një shtytje për të lëvizur gjerat shumë shpejt në Serbi.

I pyetur se si i përgjigjet kritikave se ai ka shtyrë përpara kandidaturën e Serbisë pavarësisht nga mungesa e përparimit të mjaftueshëm, Várhelyi u përgjigj: “Unë po e shtyj përpara agjendën e zgjerimit për të gjithë Ballkanin Perëndimor: Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë “.

Qasja e Várhelyi ka shkaktuar reagime nga pjesët e tjera të Komisionit Evropian – veçanërisht për sundimin e ligjit.

Tre zyrtarë thanë se Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit për Drejtësinë dhe Konsumatorin dha një “opinion negativ” mbi draft raportin e zgjerimit të këtij viti.

Lëvizja ishte kryesisht për shkak të shqetësimit se përparimi i Serbisë u portretizua shumë pozitivisht, thanë dy nga zyrtarët.

Një zyrtar i tretë i Komisionit tha se në shënimet e brendshme për Serbinë këtë vit, një vlerësim i miratuar nga kabineti Várhelyi u ndryshua nga zyrtarë të tjerë për të përfshirë formulime më të ashpra mbi mungesën e përparimit konkret të Beogradit në reformat e sundimit të ligjit.

Grupet e shoqërisë civile, ndërkohë, kanë luftuar që zëri i tyre të dëgjohet.

Një përfaqësues i një organizate të madhe të të drejtave të njeriut tha se kishte “humbur shpresën” për tu lidhur me Várhelyi.

Përfaqësuesi, i cili kërkoi të qëndronte në anonimitet për të shmangur ndonjë dëmtim të mëvonshëm të kontakteve me Komisionin, tha se organizata “i merrte të gjitha takimet që kërkonim” kur para Várhely-it, ishte Johannes Hahn që mbante postin e zgjerimit.

“Në këtë pikë, ne nuk presim shumë. Ai kurrë nuk do t’i japë përparësi sundimit të ligjit, që është thembra e mandatit të tij. Ne u dorëzuam”, tha përfaqësuesi.

Zyrtarët e Komisionit, diplomatët e BE -së dhe eurodeputetët gjithashtu kanë shprehur zhgënjim me qasjen e Várhelyi ndaj një vendi tjetër kandidat, Maqedonisë së Veriut.

Vendi ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE, madje duke ndryshuar emrin e tij për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje me Greqinë që kishte bllokuar përparimin e saj për dekada të tëra.

Së bashku me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut mori dritën jeshile për të filluar negociatat vitin e kaluar, por ato u bllokuan nga Bullgaria për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën dhe historinë.

Kritikët akuzojnë Várhelyi se nuk punon si ndërmjetës për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe zhbllokuar bisedimet e anëtarësimit.

Diplomati i parë i BE tha se Várhelyi “i bëri propozime të padobishme Bullgarisë që shumica e shteteve anëtare i kishin refuzuar tashmë.”

Diplomati i dytë i BE tha se përfundimi i bllokimit të Maqedonisë së Veriut duhet të jetë “dosja më e rëndësishme” për Várhelyi.

Várhelyi gjithashtu shkaktoi shqetësim në fillim të këtij viti kur ai hodhi idenë se Shqipërisë duhet t’i lejohet të fillojë bisedimet e anëtarësimit pa Maqedoninë e Veriut.

Ky ishte një sinjal absolutisht i gabuar dhe fatal, sepse të dy vendet kishin përmbushur të gjitha kriteret për fillimin e bisedimeve të pranimit. Pse ky trajtim i pabarabartë?

I pyetur në lidhje me kritikat se qëndrimi i tij ka qenë shumë pro-bullgar në mosmarrëveshje, Várhelyi përmendi lavdërimet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut për përpjekjet e tij për të ndihmuar vendin. Ai tha se po punonte shumë për të lejuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut…

Marrë me shkurtime nga Politico.eu, Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë