Art dhe Kulture

Dëmtohet për herë të dytë skulptura simbol kundër racizmit e George Floyd

Skulptura, e shënjestruar më parë nga supremacistët e bardhë në Brooklyn, ishte spërkatur me bojë dy ditë më parë, pasi ishte instaluar në Manhattan

Një statujë prej bronzi në nder të viktimës me ngjyrë, George Floyd, një viktimë e dhunës policore, u vandalizua më pak se 48 orë pasi u zbulua në Sheshin Union Manhattan më 1 tetor. Busti u spërkat me bojë të dielën në mëngjes nga një person i paidentifikuar, i cili u kap në video.

Pamjet e sigurisë rreth orës 10:00 të mëngjesit tregojnë një burrë që mban një skateboard dhe përzien bojë pas skulpturës para se të hipë në skateboard, duke e spërkatur atë në faqen e bustit dhe më pas duke u larguar.

Është hera e dytë që e njëjta statujë e Floyd është dëmtuar.

Skulptura 2 metra e lartë e krijuar fillimisht në Broolkyn është vandalizuar me bojë të zezë shumë pak pas ndërtimit të saj.

Grupi i punës i Departamentit të Policisë të Qytetit të Nju Jorkut thotë se po heton të dyja rastet.

Në “Union Square”, vepra shfaqet së bashku me bustet e Breonna Taylor dhe aktivistit për të drejtat civile John Lewis, të cilat nuk ishin në shënjestër. Punimet janë pjesë e një ekspozite publike të artit të titulluar “See in Justice” (Shih në Drejtësi) që është mbështetur nga Fondacioni John dhe Lillian Miles Lewis, dhe organizata Confront Art.

Andrew Cohen dhe Lindsay Eshelman, bashkëthemeluesit e “Confront Art” dhe LaCrown Johnson nga “We Are Floyd” lëshuan një deklaratë: “Duhet shumë guxim për të shfaqur tre statujat që po ekspozojmë në Union Square. Duhet gjithashtu një guxim i mirë për të vandalizuar një statujë në një skenë globale në mes të ditës. Kjo vazhdon të sjellë dritë në misionin tonë se arti është një katalizator bisedash, një vend për diskursin publik, dhe me anë të këtyre akteve me shpresë mund të kapërcejmë urrejtjen dhe të gjejmë unitet për të ardhmen. Ne vazhdojmë të frymëzohemi për të krijuar dhe shfaqur art publik për të çuar përpara këtë mision të rëndësishëm”.

Artisti me qendër në Nju Jork, Chris Carnabuci, i cili krijoi statujat, tha në një deklaratë se dëmtimi i punës së tij nuk “vjen si një surprizë e plotë” dhe se “fakti që ka një larmi mendimesh për Floyd është ndoshta arsyeja kryesore për këtë ekspozitë”. Skulptura që atëherë është pastruar dhe mbetet e ekspozuar.

George Floyd u vra padrejtësisht nga një oficer i Minneapolis më 25 maj të vitit të kaluar. Vdekja e tij nxiti një reagim mbarëbotëror dhe nisjen e lëvizjes ‘Black Lives Matter’ BLM.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë