Treg

Buka do të vijojë të shitet me 10 lekë më shumë, Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobit kompanitë e miellit

Para se të shkojë në një seancë degjimore për rritjen e çmimit të bukës e kërkuar nga PD-ja të martën përmes Jorida Tabakut Autoriteti i Konkurrencës u mblodh mes anëtarësh për të diskutuar mbi arsyet e këtij fenomeni.

Përfundimi; Asnjë zgjidhje.

Të pesë anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës votuan nëse duhet të gjobiten për rritjen e çmimit të bukës ndërmarrjet AgroBlend SHPK, Miell  Tirana  SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në një vendim të qeverisë.

Në një votim 2 pro (Juliana Latifi dhe Eduard Ypi) dhe 3 kundër (Leida Matja, Adriana Berberi, Denar Biba) Autoriteti i Konkurrencës nuk miratoi propozimin e Sekretariatit për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.

Që do të thotë që çmimi i bukës do të vijojë të blihet me 10 lekë me shumë.  Nga e hëna e 6 shtatorit, në disa furra buke në Tiranë dhe Durrës, buka është tregtuar me 10 lekë më shumë duke shkuar në 90 lekë nga 80 që ishte më herët.

Pronarët e furrave të bukës kanë argumentuar se çmimi i rritur ka ardhur si pasoje e rritjes së çmimit të miellit, i cili në vend ka qenë në nivele të ulëta dhe rrjedhimisht është tregtuar nga jashtë.

Kostos së miellit të importuar i është shtuar edhe kosto e sasisë së ulët të grurit edhe në Europë, duke prekur konsumatorët.

Për këtë fenomen foli pak kohë më parë edhe zv-Kryeministri Arben  Ahmetaj i cili në një interviste televizive tha se rritja e çmimit të bukës, (produktit që shqiptarët konsumojnë më shumë) është e përballueshme për konsumatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë