Që prej vitit 2003, 29 shtatori është shpallur si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore.
29 shtatori është dita kur të gjithë kujtojnë sakrificat e brezave në ruajtje të gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.
Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të, për t’ua kaluar brezave si dëshmi të identitetit tonë kulturor dhe europian.
Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar, Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja.
Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës.
Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve. Bënja u vra në vitin 1916 nga ushtria austro-hungareze që ndodhej në Shqipëri në atë kohë.
Oficerët austriakë grabisnin monumentet e kulturës, por hasën në rezistencën e armatosur të oficerit Kamber Bënja dhe nënoficerëve Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët u vranë gjithashtu.
Major Kamber Bënja u shpall Dëshmor i Atdheut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.