Media Galeri

“Shtëpia e mrekullive” në Kanarie që i reziston llavës së vullkanit

Një shtëpi e vogël që ka mbetur e izoluar, por e paprekur, në mes të një rrjedhe llave të nxjerrë nga vullkani Cumbre Vieja është imazhi simbolik i katastrofës natyrore që po ndodh në La Palma, në Ishujt Kanarie, Spanjë, ku vullkani ka shkatërruar tashmë 350 ndërtesa dhe po mban në ankth shumë nga banorët e ishullit që janë në gjendje gatishmërie maksimale, me rreth 6,000 njerëz të evakuuar deri tani.

Autori i fotografisë, e publikuar në mediat sociale, është Alfonso Escalero, një fotograf që mbërriti në La Palma me kompaninë e tij të prodhimit “I Love The World” për të punuar në një dokumentar para fillimit të shpërthimit, sipas asaj që ai vetë iu tha mediave iberike.

Siç u raportua nga gazeta “El Mundo”, pronarët e shtëpisë janë dy të moshuar me kombësi daneze, të cilët nuk kanë udhëtuar në ishull që kur filloi pandemia.

Të dy, shton gazeta spanjolle, u paralajmëruan se shtëpia e tyre ishte shpëtuar nga Ada Monnikendam, një grua holandeze që ka jetuar në ishull për dekada të tëra. “Pronarët janë shumë mirënjohës për foton”, – tha Monnikendam në një lidhje me televizionin publik spanjoll.

“Kjo është një punë për fotografët e luftës, ne nuk jemi të përgatitur për një tragjedi kaq të madhe”, – shtoi Escalero, i cili ishte dëshmitar i skenave të ndryshme të shtëpive të përpira nga llava.

Shpërthimi i Cumbre Vieja, ndërkohë vazhdon me intensitet, sipas Institutit të Vullkanologjisë të Ishujve Kanarie, edhe pse përparimi është ngadalësuar ndjeshëm: tani ai tani po lëviz me një shpejtësi prej 4 metrash në orë, ndërsa të hënën po përparonte me 700 metra në orë.

Për momentin, 166.2 hektarë tokë janë shkatërruar nga llava e vullkanit, një lumë që në disa vende ka arritur 15 metra në lartësi dhe 600 në gjerësi. Autoritetet iu kanë dhënë më shumë kohë banorëve të zonave të prekura nga shpërthimi për të ruajtur dokumentet, sendet me vlerë dhe produktet e tokës së kultivuar në funksion të përparimit të mundshëm të rrjedhës.

Gjithashtu u kërkua krijimi i dy zonave me qasje të kufizuar për trafikun ajror në pikat afër vullkanit: autoriteti kompetent, “Enaire”, shpjegoi se kufizimi nuk prek fluturimet komerciale.

Ndërkohë, një nga pasojat e shpërthimit për disa nga njerëzit që humbën shtëpinë e tyre, shfaqet në mediat spanjolle: vështirësia për të gjetur një alternativë strehimi për shkak të çmimeve të larta të qirasë në La Palma, një alternativë në të cilën qeveria rajonale planifikon të veprohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke u kthyer nga Nju Jorku, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Pedro Sanchez shkoi me Mbretin Felipe VI, Mbretëreshën Letizia dhe Ministrin e Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, në ishullin La Palma, për të takuar banorët e mbetur të pastrehë pas shpërthimit të vullkanit Cumbre Vieja.

Sipas “El Mundo”-s, të tre vizituan kazermën El Fuerte në Breña Baja, ku ndodhen më shumë se 100 nga afërsisht 5,500 njerëzit e evakuuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë