Bota

Shpërthen vullkani në Kanarie të Spanjës, llava zbret në rrugë dhe djeg shtëpitë e ishullit (Foto-Video)

Vullkani Cumbre Vieja, në ishullin Kanarie të La Palma-snë Spanjë, shpërtheu duke shkaktuar një kolonë të madhe tymi. Pamjet e publikuara nga shpërthimi i vullkanit janë tronditëse. Shtypi spanjoll, raporton se deri më tani, llava ka përpirë 20 shtëpi në fshatin El Paso si dhe disa rrugë.

Llava shpërtheu qindra metra lart nga pasi  vullkani shpërtheu, ndërsa lumenjtë e shkëmbinjve të shkrirë derdheshin në Oqeanin Atlantik. Autoritetet lokale kanë evakuuar rreth 5,000 banorë nga katër fshatra, përfshirë El Paso dhe Los Lianos de Aridane.

Sipas Presidentit të Ishujve Kanarie Angel Victor Torres, banorët e fshatrave tjerë nuk do të duhet të lëvizin nga shtëpitë e tyre. Deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për demë materiale dhe shtëpia të djegura.

Linja ajrore Binter me bazë në Ishujt Kanarie njoftoi sot se ka anuluar katër fluturime për dhe nga ishulli La Gomera për shkak të hirit vullkanik dhe reve nga një shpërthim vullkanik në ishullin fqinj La Palma. Shpërthimi i fundit vullkanik në arkipelagun Kanarie, ndodhi në vitin 2011, në ishullin El Hierro dhe ishte nën ujë.

Në fakt, shpërthimi që nisi të dielën në mbrëmje, u parapri nga një tërmet i vogël, i cili u ndje më së shumti në zonën Las Manchas të El Paso.

Lëkundjet sizmike e shkaktuar nga aktiviteti vullkanik, filluan një javë më parë dhe kishte alarmuar disa bashki në ishullin Kanarie.

Që kur filloi ky fenomen, Instituti Gjeografik Kombëtar, ka regjistruar më shumë se 6,600 tërmete të vegjël në zonën Cumbre Vieja, në jug të ishullit.

Autoritetet kishin deklaruar ditët e fundit nivelin e alarmit "të verdhë" (i dyti nga katër) për bashkitë Fuencaliente, Los Llanos de Aridane, El Paso y Mazo, ku banojnë rreth 35 mijë.

Të paktën 5 mijë njerëz po evakuohen nga shtëpitë e tyre. Guardia Civile Spanjolle, ka njoftuar se në orët e ardhshme mund të ketë 10.000 persona të zhvendosur.

Autoritetet kanë kërkuar të mos i afrohen zonës së shpërthimit, duke kërkuar nga popullata e zonave në rrezik të La Palma-s që të mbrohen nga hiri dhe të mbyllen në shtëpi në rast se ajo afrohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë