Shqipëria është ulur me një vend në Indeksin e Inovacionit Global (GII) për vitin 2021, e 84-ta nga e 83-ta që ishte një vit më parë. Shqipëria është përsëri e fundit nga vendet e rajonit.
Shqipëria vlerësohet me 28 pikë dhe për inovacionin në institucione renditet e 60-a, vlerësuar me 64.9 pikë.
Në këto elemente përfshihen mjedisi politik, mjedisi rregullator, efektiviteti i qeverisë, sundimi i ligji, kostoja e largimit nga puna, mjedisi i biznesit, lehtësia e fillimit të një biznesi dhe lehtësia e zgjidhjes së falimentimit.
Në elementin e dytë, kapitali njerëzor dhe kërkimi, renditemi në vendin e 90, vlerësuar me 22.7 pikë. Këtu janë marrë në studim arsimi, financimi qeveri-studentë, raporti nxënës-mësues, jetëgjatësia në shkollë, arsimi tercial, të diplomuarit në shkencë dhe inxhinieri, renditja e universitetit etj.
Për infrastrukturën, në vendin e 62, me 43 pikë. Në këtë element përfshihen qasja dhe përdorimi i TIK, shërbimi online i qeverisë, pjesëmarrja online, performaca e logjistikës.
Për sofistikimin e tregut dhe biznesit, përkatësisht në vendin e 79 e 68, vlerësuar me 44.1 dhe 25 pikë.
Në sofistikimin e tregut janë marrë në konsideratë lehtësia e marrjes së kredisë, investimi, kapitalizimi i tregut, investitorët e kapitalit të sipërmarrjes, diversifikimi dhe shkalla e tregut etj. Ndërsa sofistikimin e biznesit skanohen të punësuarit në shkencat e dijes, kompanitë që ofrojnë trajnime zyrtare, të punësuarit me grada të larta, importet neto të teknologjisë së lartë, investimet e huaja direkte, kërkimi për talente si përqindje në një biznes, etj.
Shqipëria është vlerësuar me 12 pikë për produktet finale në kërkim dhe teknologji, duke u renditur më dobët se të gjithë elementet e tjerë, ne vendin e 103.
Ky element lidhet me patentat e shpikjeve të regjistruara sipas origjinës, modelet e përdorimit sipas origjinës, pronësia intelektuale, eksportet në inovacion dhe teknologji, investimet shqiptare që shkojnë drejt vendeve të tjera, ndikimi i njohurive, shpenzimet për softuer, certifikatat e cilësisë ISO.
Dhe në vendin e 81 për elementin e fundit: produkte krijuese, vlerësuar me 20.3 pikë.
Në këtë element përfshihen markat tregtare sipas origjinës, vlera e markës globale, produktet dhe shërbimet krijuese, eksportet e produkteve krijuese, kreativiteti online, korigjimet në Wikipedia, krijimi i aplikacioneve celular.
Ky është edicioni i 14-të i Indeksit, i publikuar nga Organizata Botërore për Pronësi Intelektuale (WIPO), në bashkëpunim me INSEAD dhe Universitetin Kornel, i cili rendit 132 vende sipas 81 indikatorëve nga burime publike dhe private ndërkombëtare.
Nga vendet e rajonit, Mali i Zi renditet në vendin e 50, duke u vlerësuar me 35.4 pikë. Serbia në vendin e 54, vlerësuar me 35 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut në vendin e 59, me 34.1 pikë.
Zvicra është renditur si vendi më inovator për 11 vite me radhë, pas së cilës renditet Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ndryshimet që ndodhin midis ekonomive kryesore janë të jashtëzakonshme,” tha Bruno Lanvin, anëtari i INSEAD dhe bashkautori i raportit.
“Përveç kërcimit spektakolar të Republikës së Koresë (nga vendi i 10 -të në vendin e 5-të), konfirmohet vazhdimi i përparimit të bërë vitin e kaluar nga Franca (11) dhe Kina (12), pasi të dyja tani janë në prag të Top 10 të GII”. “Në tërësi, Covid-19 nuk i prishi tendencat e identifikuara në vitin 2019-2020, pasi financimi (publik dhe privat) vazhdoi të mbetet relativisht i lartë për kompanitë inovatore, edhe jashtë fushave të shëndetësisë dhe bio-shkencave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.