Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, një tjetër projekt që do zhvillohet në institucionet e artit.
Në një intervistë televizive, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se TKOB është fillimi i një etape.
Në vijim, Margariti tha se ajo që është vënë re në gjithë këto vite është mungesa e këtyre hapësirave ose mungesa e standardeve dinjitoze. Margariti u ndal dhe te projekti në GKA, sipas saj një nismë për të mbështetur artin.
“Po fillojmë punën me Galerinë Kombëtare të Arteve. Një tjetër projekt madhor i konfirmuar nga kryeministri, është një tjetër nismë kjo e gjithë qeverisë për të mbështetur artin e kulturën”, tha Margariti.
Ndër të tjera, ministrja e Kulturës tha se do të vazhdojnë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e GKA do të krijojë një pol të ri në Pedonale.
“Por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”, u shpreh Margariti.
Mes të tjerave duke folur për projektet në qytetet e tjera, ministrja Margariti u ndal edhe tek Muzeu Hebraik në Vlorë. “Për të çuar para projektet tona, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me donatorët e huaj në rastin konkret me Fondin Amerikan për Zhvillim”, tha ajo.
Ringritja e monumenteve të kulturës nën programin “EU4 CULTURE”, janë të tjera cështje që sipas ministres Margariti do të çohen përpara.
“Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar është në restaurim të plotë, por fillojmë shumë shpejt në fund të tetorit restaurimin e Teatrit të Kukullave, i cili pati dëmtime që në tërmetin e shtatorit 2019”, tha ajo.
Margariti bëri me dije se ka filluar puna në kishën e Rubikut, ashtu siç do të fillojë në Muzeun Etnografik në Krujë, etj.
Së fundmi, një ndër institucionet e mëdha që hapi dyert i rikonstruktuar ishte Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



