Një shahiste legjendare sovjetike, ka hedhur në gjyq Netflix, duke i kërkuar 5 milionë dollarë dëmshpërblim, për portretizimin e gabuar të saj në një episod të serialit “Queen’s Gambit”, në të cilin pretendohet – padrejtësisht sipas saj – që ajo nuk garoi kurrë kundër burrave.
Episodi i inkriminuar është i fundit nga shtatë në transmetim, kur protagonisti shkon në Moskë për të takuar (dhe më pas rrahur) kampionin botëror sovjetik, Vasily Borgov.
80-vjeçarja Nona Gaprindashvili, nga Gjeorgjia, është një pioniere e shahut për femra, pasi është gruaja e parë që ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” në këtë sport.
“Queen’s Gambit” tregon jetën e Beth Harmon, një vajze që në vitet 1950 rritet në një jetimore në Kentaki, SHBA, dhe bëhet një legjendë e shahut.
Personazhi, i bazuar në një roman të vitit 1983, i luajtur në serial nga aktorja Anya Taylor-Joy, mund edhe lojtarët më të mëdhenj rus të kohës. Në episodin e fundit, ajo luan kundër një shahisti rus të quajtur Viktor Laev, në Moskë. Në këtë skenë, prezantuesi thotë: “E vetmja gjë e pazakontë te ajo është gjinia, madje edhe kjo nuk është unike në Rusi. Kemi Nona Gaprindashvilin, ajo është kampione e botës për femra dhe nuk është ndeshur kurrë me burra”.
Akuza
Siç thuhet në dokumentet e paraqitura nga avokatët e kampiones “pohimi se Nona Gaprindashvili nuk është përballur kurrë me burra është dukshëm i rremë, si dhe është tepër seksist dhe nënçmues. Në vitin 1968, viti kur është vendosur ky episod, ajo kishte konkurruar kundër të paktën 59 shahistëve meshkuj, përfshirë jo më pak se dhjetë Mjeshtra të Mëdhenj të asaj kohe. Netflix gënjeu në mënyrë të hapur dhe të qëllimshme për sukseset e Gaprindashvili për qëllimin cinik të përshkallëzimit të dramës, duke u bërë e qartë se heroina e tij imagjinare kishte arritur të bënte atë që asnjë grua tjetër, përfshirë Gaprindashvili, nuk kishte bërë ndonjëherë.
Në padi gjithashtu pretendohet se historia e serialit është një version i përshtatur i jetës së Gaprindashvilit.
Dezinformim
Nëse kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, ish-ylli i tabelës së shahut gjithashtu citoi Netflix për dezinformata, sepse ajo ishte përcaktuar si ruse, kur në realitet ajo është gjeorgjiane. “Duke shtuar një fyerje tjetër, Netflix e përshkroi Gaprindashvili si ruse, pavarësisht se e dinte që ajo ishte gjeorgjiane dhe se gjeorgjianët kishin vuajtur nën sundimin rus kur Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe më vonë u kërcënuan dhe u pushtuan nga Rusia”, thuhet më tej në padi, ku Gaprindashvili – përveç kompensimit financiar – i kërkon gjykatës të heqë pretendimin se ajo kurrë nuk ka luajtur kundër kundërshtarëve meshkuj. Kampionia gjithashtu pretendon se ka kontaktuar Netflix pas publikimit të serialit, duke kërkuar një tërheqje dhe një falje, por kërkesa ra në vesh të shurdhër. “Netflix ka respektin maksimal për Znj. Gaprindashvili dhe për karrierën e saj të shquar”, është shprehur një zëdhënës i gjigantit të transmetimit në një shënim zyrtar – por ne besojmë se kjo kërkesë për kompensim nuk ka vlerë dhe ne do të mbrohemi fuqishëm në gjykatë”. Tani lëvizja tjetër do të jetë te gjykatësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



