Pas 5 vitesh, Teatri i ri Kombëtar i Operës dhe Baletit i ngriti perdet përmes një mbrëmjeje Gala.
Në skenën e rikonstruktuar përpos solistëve tanë, u ngjitën edhe dy yje të rangut botëror, si Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, të cilët interpretuan dhe morën duartrokitjet e publikut.
Nga skena, ku nisi ëndrra e saj, sopranoja Ermonela Jaho që tashmë është në kulmin e shkëlqimit të saj në skenat e mëdha operistike, kujtoi fillimet dhe dha një mesazh për këdo që i vë vetes qëllime.
“Edhe pse i vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ato breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz të japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu”, është shprehur Jaho, ndërsa i ka lënë skenën maestros me famë botërore, Placido Domingo, që ishte i ftuar special në ceremoninë e inaugurimit.
Ndër të tjera, Ermonela Jaho është shprehur se TKOB tashmë nuk ka asnjë ndryshim me operat botërore.
Koncerti celebrues pati dhe pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operës dhe baletit: dirigjent Martin Andre dhe me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si Ylber Gjini, Eva Golemi, Armando Likaj, Vikena Kamenica, etj. Në grand gala tek të ftuarit ishte dhe artisti Elvin Hoxha.
I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda Rama, të cilët janë pritur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në kuadër të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, të gjithë të pranishmit, në mbrëmjen gala kanë treguar certifikatën e vaksinimit ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit pas projektit të rikonstruksionit është transformuar si nga akomodimi, ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit, skena, etj.
Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nisi në janar të 2017-s për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne.
Inaugurimi i kësaj hapësire bashkëkohore do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh deri më 30 shtator, ku një vëmendje e madhe do t’u kushtohet edhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Shfaqja e parë e trupës së TKOB është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, e cila u realizua në 27 nëntor të vitit 1953.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












