Telefonia fikse ka shënuar rënie me 11% në raport vjetor nga viti 2020 në vitin 2021. Nga të dhënat e AKEP, në 6 mujorin e parë të vitit 2021, numëroheshin 211 mijë abonentë të telefonisë fikse.
Ky sektor, që pati kulmin e vet gjatë vitit 2011 me 339 mijë abonentë, për pak kohë nisi rënien graduale , paralelisht me zhvillimin e telefonisë celulare. Numri i abonentëve të telefonisë fikse ka rënë me 38% në dekadën e fundit.

Një tjetër tregues i këtij fenomeni është edhe fakti se kompanitë e telekomunikacionit në vend nuk tentojnë të konkurrojnë me ofertat për telefoninë fikse dhe se monopolin e mban Albtelecom me 75% të tregut.
Gjithashtu, tregohet se thirrjet e kryera nga abonentët e rrjetit fiks janë reduktuar me 8% gjatë vitit 2020 krahasuar me 2019-n, ndërsa minutat e shpenzuara në muaj, nga 35 në 33.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dëshmojnë zbehjen graduale të shërbimit fiks të telefonisë dhe zëvendësimin e tij me teknologji më të avancuara.
Sipas të dhënave statistikore të depozituara në AKEP rezulton se numri i operatorëve të autorizuar të rrjeteve të telefonisë fikse që kanë raportuar se kanë pasur aktivitet gjatë 2020 në telefoninë fikse është rreth 40.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




