Politike

Meta çon në Prokurori ministrat e Ramës, kërkon informacione nëse kanë dosje hetimore

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me një shkresë ku kërkon të informohet nëse ndonjë nga 16 emrat e propozuar nga Edi Rama si pjesë e kabinetit të ri qeveritar është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës për shkak të proceseve hetimore.

“Presidenti Ilir Meta kërkon të informohet nëse dispononi të dhëna, apo informacione mbi emrat e kandidatëve të propozuar lidhur me procese hetimore, apo penale që janë nisur, apo mund të jenë në fazë vlerësimi për t’u inicuar për secilin prej tyre”, thuhet në shkresën e dorëzuar nga Meta në Prokurori”, thuhet në shkresën e dorëzuar nga Presidenca.

Lëvizja e Metës konfirmon se ai ka marrë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar nga ana e Kryeministrit Edi Rama dhe po përgatitet për dekretimin e tyre.

Më herët, Presidenti ka dekretuar Edi Ramën si të mandatuar për të formuar Qeverinë e re. Qeveria e re, bashkë me programin do të duhet të marrë votëbesimin e Kuvendit dhe më pas t’i drejtohet Presidencës për betim, që është edhe akti final i marrjes së detyrës.

Nëse nuk ka ndonjë surprizë, parashikohet që brenda javës që vjen kabineti i ri të nisë nga puna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë