Njerez

Histori shqiptare/Mjekët: Celularët dhe media sociale të njëjtin efekt shkatërues si droga

Drini është 14 vjeç. Prej disa muajsh ai është mbyllur në vetvete dhe është bërë agresiv në komunikim me prindërit e tij.

Dikur një fëmijë i qetë dhe i rregullt, që i pëlqente edhe të luante futboll dhe që ishte mirë me mësime, tashmë ai duket se nuk ka më interes as për lojërat në natyrë e as nuk lexon e studion si më parë. Teknologjia dhe lojërat online me shokët janw hobi i tij i “ccmendur”. Harxhon shumicën e kohës në telefonin e tij ‘smart’ dhe nuk komunikon më as me të ëmën me të cilën dikur ndante shqetësimet personale.

Nina, e ëma e tij shprehet shumë e shqetësuar për këtë ndryshim në sjellje të të birit dhe nuk di si të veprojë.

“Ndjehem e pafuqishme dhe vërtet nuk di të sillem. Kur i them që nuk duhet të luajë më dhe të lerë telefonin ai revoltohet. Nga ana tjetër shoh se nuk është më i lumtur dhe kjo nuk vjen vetëm nga ndryshimi i moshës apo ajo që njohim si periudha e adoleshencës. Edhe me mësime nuk është mirë, ashtu siç ishte më parë. Është tepër i varur nga teknologjia dhe kam frikë se po bie në depression”,- shprehet ajo.

Një djalë 20 vjeçar, pak kohë më parë shkoi te mjeku për të marrë ilaçe për ankth dhe depression e shhkaktuar nga varësi ndaj telefonëve.

Dikur një i ri plot jetë, tashmë ai kishte braktisur shkollën dhe jetonte me prindërit e tij ndërsa kishte shkuar deri në pikën sa të mendonte për vetëvrasje. Ai luante video lojëra çdo ditë dhe çdo natë deri në orë të vona.

Njëzet vjet më parë, gjëja e parë që do të kisha bërë për një pacient si ky ishte t’i jepja një ilaç kundër depresionit. Sot rekomandoj diçka krejtësisht të ndryshme: një ‘agjërim dopamine’. I sugjerova që ai të hiqte dorë nga të gjitha pajisjet teknologjike, përfshirë videolojërat, për një muaj.”, – shprehet mjekia, ku ky i ri shkoi për vizitë.

Për Dr. Arjana Rreli, mjeke psikiatër, thotë  “varësia nga celularët është problemi më e hasur  tek të rinjtë dhe fëmijët dhe ajo që do të sjellë dëme shumë më të mëdha më pas.”

Mjekët I pohuan gazetës ‘Si” se gjatë punës së tyre po përballen gjithnjë e më shumë  me pacientë, që vuajnë nga depresioni dhe ankthi, duke përfshirë këtu edhe të rinj të shëndetshëm, që vijnë nga familje të rregullta e të dashura, me prindër të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

“Studimet fillestare kanë gjetur të dhëna shqetësuese se koha e përdorimit të mediave sociale është e lidhur me shfaqjen e më shumë simptomave depresive dhe mungesën e lumturisë se adoleshentët.  Ashtu sikurse me simptomat e ADHD-së, lidhja shkakësore është e vështirë të dallohet me të dhënat e tanishme.”, – vërehet në një shkrim studimor në faqen e ëeb-it të Mia Clinic.

Mjekia psikiatre Sonila Tomori pohon gjithashtu se koha e shumtë e kaluar para ekraneve dhe përdorimi i medias sociale lidhet me depresionin dhe irritueshmërinë te adoleshentët.

Ajo vëren se në vitet e fundit dhe përgjatë muajve të Covid-it, kudo në botë raportohet një rritje si në përdorimin e mediave sociale ashtu edhe në rritjen e depresionit dhe vetëvrasjes te të rinjtë.

Tomori ka një paralajmërim shumë të rëndësishëm për prindërit e fëmijëve me ADHD: ndonëse përdorimi i mediave sociale nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm për fëmijët me zhvillim normal, ajo duket të jetë e lidhur me përkeqësimin e simptomave të shëndetit mendor te fëmijët që kanë tashmë probleme me shëndetin e tyre mendor.

Interneti dhe ndjenja e kënaqësisë

Sipas të dhënave diçka e tillë po shndërrohet në problem në të gjithë botën, dhe mjekët thonë se problemi me këta të rinj nuk është trauma, vështirësitë sociale ose varfëria, por është dopamina, një kimikat i prodhuar në tru, që funksionon si neurotransmetues, i lidhur me ndjenjat e kënaqësisë dhe shpërblimit.

Falë pëlqimeve në Facebook, Snapchat, Instagram dhe rrjete të tjera sociale, telefonat inteligjentë na lejojnë ‘të mbajmë me vete’ mjedise të mëdha sociale në xhepat tanë në çdo moment.

Nuk ka dyshim se telefonat inteligjentë ofrojnë përfitime të mëdha për shoqërinë, por kostoja e tyre po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Studimet kanë filluar të tregojnë lidhje midis përdorimit të telefonave inteligjentë dhe rritjes së niveleve të ankthit dhe depresionit, cilësisë së dobët të gjumit dhe rritjes së rrezikut të dëmtimit ose vdekjes për shkak të dëmtimeve të shkaktuara me makinë gjatë përdorimit të telefonëve.

Pse është kaq vështirë të shkëputesh nga telefoni?

Telefonat inteligjentë dhe platformat e mediave sociale në të vërtetë po na kthejnë në njerëz të varur. Platforma si Facebook, Snapchat dhe Instagram përdorin të njëjtin qark nervor të përdorur nga makinat e fatit dhe kokaina, për të na mbajtur të lidhur dhe për të përdorur produktet e tyre sa më shumë që të jetë e mundur.

E pavarësisht se dikush mund të pohojë të kundërtën, e vërteta është se thuajse të gjithë në shoqërinë moderne janë “të droguar” pas teknologjisë.

Njerëzit e rritur sot shpenzojnë të paktën 2-4 orë në ditë duke përdorur pajisje teknologjike dhe nëse harrojmë ku e kemi lënë telefonin ne përballemi me një gjendje të lehtë paniku derisa ta gjejmë.

Dopamina është një kimikat i prodhuar nga truri ynë, që luan një rol kryesor në sjelljen motivuese. Ajo lëshohet kur hamë diçka të shijshme, kur bëjmë seks, pasi stërvitemi dhe, më e rëndësishmja, kur kemi ndërveprime të suksesshme shoqërore.

Edhe pse jo aq intensive sa në rastet pas përdorimit të kokainës, stimujt pozitivë socialë do të rezultojnë në mënyrë të ngjashme në një lëshim të dopaminës, duke përforcuar çfarëdo sjelljeje që i ka paraprirë. Neuroshkencëtarët njohës kanë treguar se stimujt shoqërorë shpërblyes: fytyrat e qeshura, njohja pozitive nga bashkëmoshatarët tanë, apo mesazhe nga njerëz të dashur aktivizojnë të njëjtat rrugë shpërblimi dopaminergjik. Telefonat inteligjentë na kanë siguruar një furnizim praktikisht të pakufizuar të stimujve socialë, pozitivë dhe negativë. Çdo njoftim, qoftë një mesazh me tekst, një ‘like’ në Instagram, ose një njoftim në Facebook ka potencialin të jetë një stimul pozitiv social dhe fluks dopamine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë