Një pjesë e njerëzve i gëzohen stinës së nxehtë dhe netëve të gjata jashtë, por për një pjesë tjetër vjeshta mbetet një stinë e preferuar, sidomos për ata që kanë dëshirë të lexojnë libra.
Të qenit në një kohë pas pushimeve, çfarë më mirë se një libër mund të të bëjë shoqëri?
Për të gjithë lexuesit, të cilët dëshirojnë të kalojnë kohën e tyre të lirë duke shfletuar faqet e një libri, sezoni i ri i vjeshtës sjell një sërë titujsh të rinj.
Gazeta “Si” ka folur me Shtëpitë Botuese në vend, të cilat na informojnë rreth titujve të rinj që pritet të jenë nëpër libraritë e Tiranës këtë sezon vjeshte…
Botimet Onufri
Shtëpia Botuese Onufri ofron një sërë titujsh të rinj që janë në proces nga autorë shqiptarë dhe kryesisht letërsi artistike.
Artan R. Hoxha – “Tharja e kënetës së Maliqit” – studim
Bashkim Hoxha – “Një shaka e vogël me vdekjen” – roman
Lindita Arapi – “Vend pa dashuri” – roman
Mehmet Kraja – “Liria ime” – roman
Nasi Lera – “Mjegulla blu e mesnatës” – tregime
Nurie Emrullai – “Lëre dashurinë të vijë si të dojë” – poezi
Sadik Bejko – “Kalorësit e shiut” – Poezi
Virion Graçi – “Një ditë më pak” – roman
Visar Zhiti – “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” – poezi
Shtëpia Botuese Albas
Edhe Shtëpia Botuese Albas vjen me disa botime të reja nga autorë shqiptarë në prozë dhe poezi.
Ardian Vehbiu – “Castigat” (titull jo definitiv, pasi libri është në proces) – prozë
“Në këtë vepër personazhet dhe temat nuk janë aspak stereotipa të letërsisë së traditës”, thotë Dorina Basha nga Botimet Albas.
Dionis Prifti, (fitues i fondit për autorët e rinj në QKLL), – “Bar Sahara” – libër me tregime të shkurtra
Subjekti i këtij libri ndërtohet sipas impresionit të ndjesisë, pa i qëndruar besnik narrativës. Lexuesi do të udhëtojë në shkretëtirë, në savanë, në planetë të huaj, do të ngecë në një kuti të vogël kartoni, do të endet në një qytet gati në apokalips, do të përjetojë vite të tëra pritjeje në ca shkallë universiteti, do të përgjumet e do të zgjohet në një autostradë me peshq e gomerë.
Ballsor Hoxha – “tjetri/shqiptar” – roman
Dromca postmoderniste e bio, për të parë atë që jemi, një invencion për letërsinë shqipe, ku “shpiket”/shkruhet për herë të parë me narratorin si nemezis, apo në gjuhë dhe mendim tejet vicioz.
Meti Disha – “Të mjaftueshmëve me gjërat e vogla” – poezi
Poezi moderne me shumë brumë metaforash, krahasimesh, detajesh dhe gjetje ndjesish, të ndërthurura me simbole
Adrian Zalla – “Një histori ngritur mbi imazhe të prera” – vëllim me poezi
Poezitë i drejtohen jetës dhe gjithçkaje ajo mban, një arratisje për të shpëtuar nga realiteti.
Shtëpia Botuese Toena
Mjaft surpriza rezervon edhe “Toena” këtë vjeshtë duke sjellë në shqip libra mjaft të rëndësishëm nga autorë të konsoliduar nga letërsia e huaj.
Lily Mavrokefalou (autore greke) – E zjarrit dhe e vetmisë
Cili ankth, cila kënaqësi mban të përkulur mbi tekstin që po shkruan, Manto Mavrojenis, atë arkonde të rënë prej vakti, të harruarën tashmë “Heroinë dhe Madonë” të Mikonos, atë që e futi vendlindjen e saj në vallen e revolucionit të 1821-shit, që e shpëtoi nga algjerianët dhe e shpenzoi pasurinë e saj të madhe për qëllimet e kësaj lufte?
Natë për natë – është viti 1838 dhe mbret është Otoni, me origjinë bavareze – ajo sjell ndër mend kujtime dhe persona që kanë vdekur tashmë, gjakos plagë të vjetra.
Nicola Lagiola (autor italian) – Egërsia
Një natë e ngrohtë pranvere, një grua e re ecën në mes të autostradës. Është e zhveshur dhe e mbuluar në gjak. Në errësirë e përvijojnë fenerët e një kamioni, që përplasen mbi të. Disa orë më vonë, kur ta gjejnë rrëzë një parkingu shumëkatësh, do të zbulohet edhe identiteti i saj: është Klara Salvemini, vajza e madhe e ndërtuesit më të fuqishëm të zonës. Të gjithë mendojnë se ka vrarë veten. Të jetë vërtet kështu? Çfarë e lidhte Klarën me biznesin e të atit?
Nikos Chrysos (autor grek) – Ditë e re
Një natë dhjetori, në një cep të errët të portit, tre burra djegin të gjallë Sebastianin, një endacak të cilit i ka dalë nami si mashtrues i tmerrshëm. Pavllo, më i riu nga tre autorët e vrasjes, i tronditur nga brutaliteti i krimit, kërkon të dhëna për viktimën, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të çlirohet nga brejtjet e ndërgjegjes. I kapluar nga pështjellimi mendor, ai beson se nëse ringjall historinë e të vdekurit, do ta rikthejë në jetë.
Harlan Coben (autor amerikan) – Mundësia e dytë
Deri ku mund të shkosh, për të shpëtuar jetën e fëmijës tënd?
Një mëngjes, Mark Sajdman, kirurg plastik në një nga rrethinat e Nju-Jorkut, gjendet në shtëpinë e tij kur, papritur, gjithçka errësohet. Ai përmendet në shtratin e një spitali pas dymbëdhjetë ditësh në koma. Një polic e njofton se është qëlluar me armë nga pas, gruaja e tij, Monika, është gjendur e vrarë në shtëpinë e tyre, si pasojë e këtij agresioni.
Giulia Besa (autore italiane) – Me ty përtej detit
Ka ditë që mund të të ndryshojnë jetën.
Dukej një darkë si gjithë të tjerat, por në fakt, babai i Aurorës u zbulon se ishte i përfshirë në një skandal seksual me të mitura. Ajo dhe mamaja e saj transferohen menjëherë nga Roma në Aula, por distanca nuk i ndihmon për të përballuar tronditjen. Në njërën prej ditëve të vështira, Aurora gjen një model varke në miniaturë, që kishte dashur ta montonte me gjyshin e saj para se ky i fundit të ndërronte jetë. Vendos ta provojë vetë dhe përmes një blogu modelimi njeh Alesandron, një student që vazhdon për Inxhinieri Detare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









