BE -ja po përgatitet për një fluks afganësh që do të kërkojnë azil në Europë pasi të ikin në masë nga qeveria e re talebane dhe pjesa më e madhe e tyre ka të ngjarë të hyjë në kontinent nga Ballkan.
Shefi i agjencisë kufitare të BE -së, Frontex, ka ngritur shqetësimin se miliona janë zhvendosur tashmë në vendet fqinje të Afganistanit dhe se nëse nuk mbahen atje do të nisen për në Europë.
Fabrice Leggeri, drejtor i përgjithshëm i Frontex thotë në një intervistë për Reuters se agjencia po përgatitej për një rritje të fluksit të refugjatëve përmes rrugës Ballkanike, nga Turqia në Greqi, Shqipëri dhe më pas në vendet e BE-së. Tanimë Frontex po përpiqet të ofrojë sigurinë në kufirin Shqipëri-Greqi,
Rojet kufitare janë vendosur në shtigjet kodrinore që ndajnë shtetin shqiptar me Greqinë fqinje, duke ndihmuar vendin tonë të përballojë fluksin e madhe të emigrantëve që vijnë nga Greqia. Agjencia Kufitare Euripiane vendosi më shumë se 100 oficerë me kamera nate dhe disa automjete në dy pikat e hyrjes kufitare ku kalojnë më së shumti emigrantët e paligjshëm.
“Kemi parë një fluks të vazhdueshëm të emigrantëve që vijnë përtej kufirit grek. Po përballemi me këto shqetësime shumë çdo ditë,” thotë një zëdhënës i Frontex për “Reuters”.
Nëse emigrantët kishin dikur portë kryesore hyrëse Greqinë apo Italinë, tanimë rruga për në Europë kalon nga Ballkani Perëndimor. Në rast të përsëritjes së krizës së refugjatëve, rajoni dhe vendi ynë do të ishin në qendër të kësaj krize, edhe pse pjesa më e madhe tyre e përdorin Shqipërinë si vend tranzit dhe jo për të qëndruar. E njohur ndryshe si rruga ballkanike, kalimi nga Greqia, në Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri, për të vazhduar më pas në Kroaci, Slloveni dhe vende të tjera të BE-së, është bërë tanimë hyrja kryesore e emigrantëve për në Europë. Kjo rrugë filloi të përdorej pasi rruga Turqi-Bullgari-Rumani-Hungari u mbyll.
Dy vitet e fundit nga të dhëna jo zyrtare të vendosura në dispozicion të Gazetasi.al tregojnë se gati 25 mijë migrantë të parregullt përdoren Shqipërinë me destinacion Europën apo akoma më larg.

Pjesa dërrmuese e tyre konfirmon një zyrtar pranë policisë kufitare shoqërohen nga bashkëkombas të tyre deri në shtigjet shqiptare përgjatë kufirit të gjelbër, aq të kalueshme saqë edhe misionet e përbashkëta të Frontex nuk i ndalën dot.
Frontex po “monitoron atë që po ndodh” brenda vetë Afganistanit, por gjithashtu po vëzhgon komunitetet afgane në shtetet fqinje, tha ai, duke renditur Iranin, Pakistanin, Turqinë, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Turkmenistanin.
“Duke parë atë që po ndodh në Afganistan, natyrisht që njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare mund të përpiqen të ikin nga Afganistani. Por ajo që ka shumë të ngjarë të ndodhë së pari është që komunitetet afgane që kanë arritur të dalin jashtë vendit mund të përpiqen të lëvizin në Bashkimin Evropian”.
BE-ja është e vendosur të parandalojë lëvizjet e pakontrolluara të emigrantëve të paligjshëm nga Afganistani duke rritur ndihmën për fqinjët e saj në rajon. Unioni ka kërkuar të reformojë sistemin e saj të emigrimit pas një krize në vitet 2015-2016, kur mbërritën më shumë se një milion njerëz, shumica duke kaluar Ballkanin në këmbë për të arritur në Evropën veriore.
“BE tani është më e përgatitur në kthimin e emigrantëve të cilët nuk kanë një kërkesë të vlefshme azili në vendin e tyre të origjinës, tha Leggeri.
Për sa kohë që është e pasigurt të dërgosh afganë në shtëpi, emigrantët nga vendet e tjera mund të tundohen të paraqiten si afganë për t’u lejuar të hynë.
“Tani ju nuk mund t’i ktheni afganët në Afganistan. Sigurisht që nuk mundemi. Por ne mund t’i kthejmë njerëzit që pretendojnë se janë afganë dhe nuk janë” tha ai. Ekspertët e vendosur tani në kufijtë e jashtëm të BE -së mund të vlerësojnë kombësinë e një personi duke dëgjuar dialektet dhe mënyrat e të

Hungaria dhe Serbia duan të forcojnë kufijtë
Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministrja serbe Ana Brnabic u takuan në Budapest për të folur për valën e mundshme të refugjatëve nga Afganistani, duke deklaruar se pranimi i tyre ishte në kundërshtim të plotë me interesat e sigurisë të të dy vendeve.
“Ngjarjet në Afganistan paralajmërojnë një valë të madhe emigrimesh të cilat mund t’i vënë Serbinë dhe Hungarinë në një situatë shumë të vështirë, ” tha Orban pas takimit të përbashkët. Ai ka kërkuar forcimin e kufijve dy-palësh por edhe forcimin e kufijve të jashtëm të Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, duke theksuar se rajoni do të ishte rrugëkalimi kryesor i emigrantëve dhe se prej aty, ata do të niseshin drejt Hungarisë.
Kryeministrja serbe Ana Brnabić tha se Serbia ishte “në një pozitë të vështirë si vend jo anëtar i BE-së” kur binte fjala për një valë të re emigrantësh. “Një politikë e përbashkët europiane duhet të miratohet për këtë çështje”, shtoi ajo. “Jo një politikë e përbashkë e Bashkimit Evropian, por një politikë e përbashkët e Evropës, sepse Serbia është në një rrugë tranziti, dhe emigrantët vijnë në Serbi nga vendet e tjera të Ballkanit për të vazhduar në vendet e tjera të BE -së,” tha Brnabić.
Kryeministrja e Serbisë gjithashtu theksoi se vendi i saj tashmë po mendonte për opsionet në rast se një politikë e tillë e përbashkët nuk miratohej dhe se po koordinohej me Hungarinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




