Festivali më i madh i muzikës shqiptare “Alba Festival” në Zvicër me vendimin e marrë nga autoritetet atje, nuk u mbajt siç ishte parashikuar më 4 shtator dhe e gjithë kjo për shkak të parandalimit të përhapjes së Covid-19.
Por, duke parë se festivalet e tjera në Zvicër nuk janë ndaluar dhe po vazhdojnë të mbahen siç ishin paraparë, drejtues të “Alba Festival” kanë reaguar duke thënë se po diskriminohen dhe se nuk është aspak e drejtë që festivali të mos mbahet ndërkohë që ka siguri të lartë. Sipas tyre, nuk është aspak e drejtë që të njoftohet lajmi vetëm 48 orë para se të fillojë.
Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të organizatorëve, të cilët deklaruan se janë të befasuar nga ky vendim i papritur.
Anulimi erdhi me arsyetimin se komuniteti shqiptar është “prekur rëndë nga Corona” dhe ka një shkallë të ulët vaksinimi. Sipas organizatorëve, janë më shumë se 50 festivale të tjera që po mbahen në Zvicër.
Njëri prej tyre, Reis Luzhnica e konsideron refuzimin si problematik dhe diskriminues. “Ndihet si një goditje e shpejtë. Vendimi bazohet në supozime dhe jo në fakte”, është shprehur ai.
Organizatorët gjithashtu në një konferencë shtypi thanë se do ta kishin mirëkuptuar sikur të ishin anuluar edhe ngjarjet e tjera. “Por kjo godet vetëm festivalin shqiptar. Ndihemi jashtëzakonisht të diskriminuar”, tha një tjetër organizator Adem Morina.
Kujtojmë se ky festival në vitin 2019 ka mbledhur emrat më të njohur nga Kosova e Shqipëria, gjithashtu edhe numri i pjesëmarrësve ka qenë shumë i madh. Ky festival për herë të parë është mbajtur më 29 dhe 30 qershor, në vitin 2019 në Zyrih, ku pjesëmarrës kanë qenë mbi 20.000 vizitorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



