Menaxhim

ERRU: Të vendosen ujëmatës në zonat rurale ku vidhet më shumë ujë dhe bëhen lidhjet e paligjshme

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve duhet të kenë prioritet instalimin e ujëmatësve në zona ku ka mundësi shpërdorimi të madh të ujit, që lidhen kryesisht me banesat një katëshe dhe sidomos në zonat rurale. Rekomandimi vjen nga Enti Rregullator i Ujit, për shkak të treguesve shqetësues në Bilancin e Ujit për vitin 2020.

Sipas dokumentit, humbjet e dukshme,  ku bëjnë pjesë pikërisht vjedhjet, nënfaturimet dhe lidhjet e paligjshme përbëjnë mesatarisht 48.9% të humbjeve të përgjithshme, ndërkohë që pjesa tjetër shkaktohet si pasojë e rrjeteve të amortizuar. Sipas ERRU-së, krahasuar me vitin 2019, niveli i humbjeve nga lidhjet e paligjshme në transmetim dhe shpërndarje paraqet tendencë në përmirësim, por që është në vlera të papranueshme dhe i mbivlerësuar, çka tregon se procesi i eliminimit të tyre duhet  të  jetë  në  fokusin  e  çdo  shoqërie.

Paralelisht, të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara treguan se niveli i “Ujit Pa të Ardhura” është  rritur me 1.6%, duke arritur në 65.44%. Për të përmirësuar këta tregues, përveç instalimit të ujëmatësve në zonat ku shpërdorimi i ujit është më i madh është e nevojshme, rekomandohet edhe  plotësimi me ujëmatës të rrjeteve shpërndarëse, në mënyrë që të  garantohet një faturim korrekt i konsumatorëve dhe përmirësimi i menaxhimit të kërkesës për ujë.

Gjithashtu, sipas ERRU-së, shoqëritë të cilat nuk kanë të instaluar ujëmatësa në prodhim dhe konsumatorë duhet të planifikojnë në Planet e Biznesit investime mbi ujëmatësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë