Treg

Fitimet e sektorit bankar në Shqipëri më të ulëtat në rajon

Pjesa më e madhe e bankave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri kanë raportuar fitimet më të ulëta në vendin tonë, krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, CESEE.

Nga vrojtimi i “Vienna-Initiative” për aktivitetin kreditues gjatë tremujorit të parë 2021, shumica e bankave qendrore europiane e cilësuan tregun shqiptar bankar me potencial të mesëm ose të lartë për aktivitetin në të ardhmen. Por pranuan se fitimet u përkeqësuan ndjeshëm deri në fund të muajit mars të këtij viti.

Të gjitha grupet bankare ndërkombëtare raportuan një vlerë më të ulët nga kthimi i aktiveve për aktivitetin në Shqipëri. Megjithatë, shumica e bankave e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku tregu ka potencial mbi mesataren dhe pozicionim të kënaqshëm në treg.

“Vienna-Initiative” raportoi se kërkesa për kredi në Shqipëri u rikuperua ndjeshëm pas shpërthimit të Covid-19, më shumë se mesatarja rajonale, kryesisht për kreditë e korporatave dhe ato hipotekare.

Nevojat për kapital qarkullues patën kontributin më të fortë në kërkesën për kredi gjatë ristrukturimit të huasë.

Përmirësime të mëtejshme në drejtim të kredi-dhënies priten gjatë vitit në vijim, përveç kredisë në bizneset e vogla dhe të mesme në vendin tonë.

Standardet e kredisë mbetën të njëjta për të pestin tremujor radhazi, ndërsa mesatarja e CESEE vazhdon të shtrëngojë kushtet.

Raporti i Kredive me probleme në Shqipëri edhe pse në rënie, mbeti më i larti në rajonin e CESEE, pak mbi 8% në fund të vitit 2020. Të gjitha bankat shqiptare pjesëmarrëse në sondazh morën pjesë në ekzekutimin e skemave të garancisë qeveritare si përgjigje ndaj pandemisë Covid-19.

Nisma e Vjenës është një kornizë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendeve në zhvillim të Europës. Iniciativa u nis në kulmin e valës së parë të krizës financiare globale në janar të vitit 2009.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë