Nga Gisela Troplini - Apartamentet më të shitura për 2 tremujorët e parë të vitit 2021 në Tiranë janë ato të kapaciteteve 2+1, respektivisht me 55.8% dhe 55.9%. Të dytët më të preferuar janë ato 1+1, më pas 3+1 dhe të fundit garsioneret.
Tendenca pozitive e apartamenteve 2+1 në Tiranë, ka qenë gjithmonë në nivele të larta. Ndër vite, rreth 60% e apartamenteve në shitje janë të tipologjisë 2+1, rreth 30% janë 1+1, rreth 13% janë 3+1, rreth 3 % të tipologjisë garsonierë dhe vetëm 1% janë apartamente me më shumë se 3 dhoma.
Ndonëse, gjatë tremujorit të parë 2021, në krahasim me të fundit të 2020-s, është rritur numri i apartamenteve 1+1 dhe është ulur ai 2+1, nuk ka ndryshuar sjellja konsumatore.
Lidhur me indeksin e çmimeve, ndonëse më të preferuarat, rritja e çmimeve ka ndikuar në rënien e tregut të apartamenteve 2+1. Nga tremujori i fundit i vitit 2020, në tremujorin e dytë të vitit 2021, indeksi i çmimit për banesat 2+1 është rritur deri në 2%, por rënia e shitjeve, në të njëjtën periudhë krahasimore kap 10%.
Rritja e indeksit të cmimit ka ndikuar pozitivisht tek shitjet e apartamenteve 1+1, të cilat nga tremujori i katërt 2020 në tremujorin e dytë 2021, çmimet janë rritur me 2%, njësoj edhe shitjet.
Apartamentet 3+1 kanë pasur rënie nga rritja e indeksit të çmimit me pothuajse 2% gjatë 3 muajve të fundit të vitit të shkuar deri në 3 mujorin e dytë të 2021-shit. Rënia shënohet në më shumë se 2%.
Sipas Keydata, nga viti 2005 deri në 2020-n, rreth 20% e apartamenteve në shitje në Tiranë janë në gjendje shumë të mirë dhe të rikonstruktuar, rreth 38% janë në gjendje të re, rreth 2% në gjendje të mirë dhe më pak se 1 % në gjendje të parikonstruktuar.
Për gjashtë muajt e parë të vitit 2021, numri i apartamenteve të reja në Tiranë është në rritje duke zënë dhe pjesën më të madhe, me 39.6%. Apartamente të cilësuara si në gjendje shumë të mirë dhe të rikonstruktuar janë 14.2%, në gjendje të mirë 1.3 % dhe apartamenteve në gjendje të parikonstruktuar 0.1 %.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.