Treg

Çmimet e apartamenteve në Tiranë vazhdojnë të rriten/ Blloku dhe Unaza zonat më të prekura

Një metër katror i një subjekti në Tiranë arriti në çmimin e 1.121 eurove në fund të shtatorit 2021 duke kapur indeksin prej pothuajse 180.

Nga studimi i “Keydata Albania”, publikuar nga Çelësi Media Group, tregon se për tremujorin e tretë të vitit 2021, në tërësi çmimi mesatar real i apartamenteve është rritur me 1.71% nga tremujori i dytë, por ai median është ulur me 0.32%.

Raporti ndahet për 3 zona me rritje të ndryshme, zona e ish-bllokut dhe zona brenda Unazës së Vogël me 3%. Jashtë Unazës me 0.5%.

Çmimi mesatar real i shitjes në zonën brenda Unazës së Vogël, rezulton në rritje, midis 1.128 – 1.212 €/m2. Çmimet mediane luhaten në intervalet 1.074 – 1.152€/m2. Krahasuar me tremujorin pasardhës, çmimet mesatare janë rritur me 3.22% dhe çmimet mediane me 3.83%.

Në zonën e bllokut, çmimet mesatare të shitjes kanë pësuar gjithashtu rritje, krahasuar me zonën brenda Unazës, duke variuar në intervalin 1.462€/m2-1.626 €/m2 ndërsa çmimet median brenda intervalit 1.387€/m2 -1.554€/m2. Çmimet mesatare në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e dytë 2021 janë rritur me 2.9% ndërsa çmimet mediane janë rritur me 7.66%.

Çmimet mesatare reale në zonën jashtë Unazës së Vogël, shkojnë rreth 959 €/m2 deri në 1,036 €/m2 në tremujorin e parë 2021. Çmimet mediane shkojnë nga 930 €/m2 – 951 €/m2. Ҫmimet reale mesatare përllogariten me 0.51% rritje dhe ato mediane 2.36%, nga tremujori i dytë në të tretin.

Nga tremujori i dytë 2021 deri në tremujorin e tretë 2021, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 0.63 %.

Sipas këtij Indeksi që llogaritet çdo 3-mujor, nisja e rritjes reale të çmimit të apartamenteve në Tiranë ka nisur vrullshëm që në tremujorin e dytë të 2020-s dhe nuk është ndalur.

Indeksi është rritur me 3.2%; 2.2%, 0.4 %, 0.69% dhe 0.63% përkatësisht nga njëri tremujor në tjetrin që nga tremujori i tretë i 2020-s. Rënie në indeks vërehet nga tremujori i parë në tremujorin e dytë 2020, me 2.37 % në treguesin e çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë.

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, rritja e çmimeve është rreth 73% më shumë. E vlerësuar si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100

Nga 3-mujori i parë deri tek i treti për 2021-shin, çmimi mesatar real për m/katror ka lëvizur midis 1.030-1.121 euro. Ndërsa çmimet mediane brenda 984-1.013 euro për metër katror.

Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë