Sa lexojnë shqiptarët gjatë verës? Cilat janë zhanret që preferojnë më shumë dhe cilët libra ndjellin më shumë lexuesin?
Këto janë pyetje që hasen shpesh në mesin e kritikëve dhe njerëzve që puna i lidh me librin për të kuptuar tendencën e lexuesit sot dhe nivelet e leximit.
Libri mbetet një nga miqtë besnikë që e shoqërojnë njeriun pasi përpos që na pasuron me dije, na zhvillon edhe imagjinatën dhe vera konsiderohet si koha ideale për të lexuar.
Por si ka qenë raporti i shqiptarëve me librin? A njeh libri stinë?
Për të shtjelluar këtë temë, Gazeta Si ka folur me librari në Tiranë, që japin një tablo më të qartë se çfarë ndodh me lexueshmërinë në vend.
Ajo që vihet re gjatë periudhës së verës është se njerëzit duan libra të lehtë, histori suksesi apo histori dashurie.
“Normalisht librat më të shitur gjatë periudhës së verës mbeten librat që kërkojnë më pak angazhim në dukje, si romancat, dramat, policesket, gjithashtu dhe klasikët, të cilët lexohen në çdo sezon”, thonë punonjësit e librarisë Adrion për Gazetën Si, ndërsa shtojnë se “kohët e fundit është në rritje edhe numri i lexuesve të zhanrit ‘Human Science’, në shqip dhe në gjuhën angleze mbetet një nga zhanret më të preferuar”.

“Njerëzit që blejnë libra janë të kategorive të ndryshme leximi. Kuptohet gjatë ditëve për pushime frekuentojnë libra më të lehtë. Por një pjesë e mirë e të rinjve frekuentojnë libra motivues, biznesi dhe është bërë trend, që na vjen mirë pasi ndikon për kultivimin e leximit, por dhe në hapat e të menduarit”, shprehet Dalan Tola nga “Tirana Book” për Gazetën Si.
Përveç librave të lehtë, Albert Gjoka nga Bukinist.al shprehet se kanë lexueshmëri të lartë edhe librat bestseller apo titujt e rinj që i shtohen tregut të librit.
“Përgjithësisht, janë libra të shitur (bestseller), prurje të reja që pritet të kenë interes tek lexuesit dhe libra në zhanre si romanca, sagë & histori, mister & thriller, biografi apo libra të zhvillimit personal. Librat e rinj që janë hedhur në qarkullim së fundi, kanë ngjallur interesin e lexuesve: Botimi i autobiografisë së ish-presidentit Barack Obama, “Tokë e premtuar”, hedhja në qarkullim të serisë së plotë “7 motrat” të Lucinda Riley, ardhja e romaneve të rinj të autorëve bestseller europianë dhe botërorë. Autorët bestseller si Paulo Coelho, Paullina Simons, Milan Kundera, etj., vazhdojnë të kenë interesin e përhershëm të lexuesit. Këto javë ka pasur një rikthim të madh të interesit për veprën e Khaled Hosseinit, edhe për shkak të zhvillimeve dramatike në Afganistan. Por konstatohet edhe një rritje e vëmendjes për emrat e letërsisë shqipe”, thotë Gjoka për Gazetën “Si”.

Ndërkohë, në këtë kohë është vënë re edhe një komunitet i mirë lexuesish të rinj, për të cilët nuk ka shumë rëndësi nëse është shqip apo në gjuhë tjetër.
“Në Shqipëri numri i lexuesve është në rritje sidomos i lexuesve në gjuhë të huaj. Librat e huaj janë mjaft të pëlqyer në librari dhe merren nga çdo moshë. Sidomos moshat e reja 12-25 vjeç preferojnë të lexojnë në gjuhën origjinale se sa ato të përkthyerat”, nënvizojnë punonjësit e Librarisë “Adrion”.
Dalan Tola nga “Tirana Book” ndërsa konfirmon rritjen e shitjeve gjatë verës thotë se rritja ka ardhur edhe nga ata persona që nuk janë frekuentues të rregullt.
“Parë krahasimisht me vitin e kaluar, si verë është frekuentuar më shumë blerja e librave. Në vlerësimin tonë pa e bërë të bujshëm shitjen, ka ndihmuar ardhja e më shume njerëzve tanë që jetojnë e studiojnë jashtë. Ky kontingjent ta quajmë ka frekuentuar preferencat e veta ne shqip e anglisht, por dhe autor shqiptar në kuriozitetin e asaj që u mungon. Këta e gjallërojnë librarinë e me prezencën e tyre duket sikur i japin dhe jetës në tërësi tjetër frymëmarrje”, vijon Dalan Tola për Gazetën “Si”.

Rritjen e shitjeve e konfirmojnë edhe nga Bukinist.al. Sipas menaxherit të platformës më të madhe online, shitjet kanë qenë edhe më të mëdha se një vit më parë.
“Bukinist.al gjatë muajve të verës tregton më shumë libra sesa gjatë pranverës apo gjatë gjysmës së parë të vjeshtës. Po ashtu, dua të ndaj me ju se kjo verë ka qenë më e mirë sesa vera e vitit të kaluar, – në të cilën Shqipëria ishte nën karantinë dhe platforma jonë kishte sukses në shitje gjatë gjithë pandemisë. Po ashtu, ka qenë më mirë sesa edhe verën e dy apo tre viteve më parë. Nëse do të flasim me shifra, ka pasur një rritje më të madhe sesa 15% krahasuar me vitin e kaluar”, vijon Gjoka.
Një tjetër fakt që librashitësit i mëshojnë fort është se leximi nuk njeh stinë, pasi lexuesi i kultivuar lexon në çdo kohë dhe është i adhurueshëm në çdo kohë për energjinë e rezonuar kundrejt autorëve.
Pamja e zakonshme e shqiptarit nuk qenka vetëm ajo e një njeriu të përhumbur në celular apo kompjuter, por edhe e atij që lexon. Shqiptarët po lexojnë më shumë se dje…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




