Treg

“Albpetrol” dështoi në menaxhimin e nxjerrjes së naftës, por rriti çmimin e saj

Për 3-mujorin e parë të vitit 2021, kompania shtetërore e naftës “Albpetrol” nuk ka nxjerrë sasinë e parashikuar të naftës duke regjistruar një humbje prej 119.4 mln lekësh, me të ardhura 772.9 mln lekë. Shpenzimet për të njëjtën periudhë raportohen në 891.5 mln  lekë.

Për periudhën janar-mars është nxjerrë vetëm 130 ton naftë  nga 19.840 ton që ishte plani dhe 28 ton gaz nga 191 ton që ishte parashikuar. Në total, nga puset e administruara nga “Albpetrol” është prodhuar vetëm 0.8% e planit.

Investimet në këtë fushë janë po ashtu shumë larg parashikimeve, duke u realizuar vetëm në masën e 1% të planit. Për 3 muajt e parë të vitit janë shitur vetëm 4.000 ton naftë, 10% e sasisë së parashikuar, ndërkohë që çmimi mesatar rezulton 30.070 lekë, 101.9 lekë më shumë se sa parashikimet.

Prodhimi total, ku përfshihen edhe kompani të tjera u realizua në masën 33.9% të planit. Përgjatë kësaj periudhe u prodhua  10.172 ton naftë, apo 19.840 ton më pak se parashikimi, si dhe 162 ton gaz më pak se parashikimi.

Aktiviteti i nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka nxitur dhe më herët debate se si nuk funksionon si duhet për shkak të keq menaxhimit nga kompania shtetërore. Një muaj më parë, u lajmërua një protestë që nuk u zhvillua për shkak të rritjes së çmimit të lëndës djegëse për një kohë të shkurtër, lidhur dhe me zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë