Yield-et e bonove 12 mujore pësuan rënie në ankand duke u shitur me një yield mesatar të ponderuar prej 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm.
Nga rreth 8.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, shuma totale e kërkesave në ankand arriti në 11.8 miliardë lekë.
Pasi iu afruan niveleve më të ulëta historike në fund të muajit qershor, yield-et shënuan një rritje graduale deri në nivelin 1.84%.

Ndërkohë, yield-i mesatar i ponderuar për bonot me maturim 6-mujor shënoi përsëri një rritje të lehtë në 1.34%, nga 1.22% që kishte qenë në ankandin e fundit, në fillim të gushtit. Për bonot me maturim më të vogël se një vit kërkesa e tregut është më e ulët dhe ato financohen kryesisht nga bankat tregtare, si një alternativë e vendosjeve afatshkurtra të likuiditeteve të lira.
Megjithatë, edhe këtu yield-et ngelen në nivele të ulëta dhe relativisht të qëndrueshme.
Paralelisht, depozitat bankare kanë ruajtur norma të larta të rritjes edhe në gjysmën e parë të këtij viti, duke rritur disponueshmërinë e fondeve për bankat tregtare, që janë financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të qeverisë.
Yield-i mesatar i portofolit të brendshëm pësoi sërish një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në muajin qershor zbriti në nivelin 3.58%, nga 3.61% që kishte qenë në fund të vitit 2020 dhe 3.75% në mesin e vitit 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




