I veshur me uniformën portokalli të punës, me një biçikletë dhe çantën e shpinës të mbushur me porositë që ka për të dërguar. Seed Sadaat është ndër ata pak afganë që fati i ka buzëqeshur në Gjermani, ku ka siguruar një vend pune dhe ka nisur një jetë të re familjarisht bashkë me familjen.
Por, ndryshe nga pjesa më e madhe e afganëve që po i largohen vendit të tyre nga sytë këmbët duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian, Sadaat ka një histori tjetër.
Deri në vitin 2018 ai nuk ishte si gjithë të tjerët në vendin e tij, por ministër i Komunikimit në qeverinë e asaj kohe, me një pagë të kënaqshme dhe privilegje të tjera që i jepte detyra si zyrtar.
Pavarësisht kësaj zgjodhi që t’i braktisë të gjitha, ndoshta e parandjeu se rënia e vendit nën dhundrën e talebanëve ishte e pashmangshme. U largua drejt Gjermanisë dhe në shtator të vitit të kaluar nisi punën si korrier.
Sot historia e tij është rikthyer në qendër të vëmendjes “falë” ngjarjeve që po trazojnë vendlindjen e tij. Ai tregoi për Reuters se si në vendlindje e kanë tallur e paragjykuar për punën e re që ka gjetur në Gjermani si postier. Vetë thotë se i ka shpërfilluar këto tallje e paragjykime.
“Për mua puna është punë, pak rëndësi se çfarë pune është. Mjafton që ajo të jetë e ndershme. Shpresoj që edhe politikanë të tjerë të ndjekin këtë shembull”, thotë ai.
Integrimi në shoqërinë gjermane vijon ende, ndërsa kujton vështirësitë e fillimit. “Në çdo puna gjuha e vendit ku punon është shumë e rëndësishme dhe unë nuk e dija gjermanishten në fillim”, tregon ai.
Sot ka mësuar dhe është në gjendje që të komunikojë, por rrugën në përmirësimin e gjermanishtes po e vijon ende me kurse dhe fill pas shkollës i hipën biçikletës për t’iu drejtuar punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



