Mes afganëve që mbërritën në Shqipëri në orët e para të së premtes ka fëmijë, të moshuar dhe të rinj, që janë familjarë të personave që kanë punuar për forcat perëndimore përgjatë 20 viteve të luftës atje.
Por cili ka qenë funksioni i tyre? Sipas asaj që mëson Gazeta Si një pjesë e mirë e afganëve që mbërritën në Rinas kanë punuar për organizatat joqeveritare në Afganistan, kryesisht në fushën e avancimit të të drejtave të njeriut dhe sidomos të grave. Ka edhe nga ata që kanë punuar për institucionet e qeverisë së rrëzuar nga talebanët, në fushën e të drejtave të njeriut, medias dhe barazisë.
Kategoria e këtyre personave është vlerësuar si ndër më të rrezikuarat nga regjimi i ri i vendosur në Kabul, ndaj evakuimi i tyre u cilësua si prioritet së bashku me shtetasit amerikanë dhe të vendeve të tjera perëndimore.
Pjesa tjetër janë përkthyes që kanë punuar për këto organizata, ndërsa këtyre u janë bashkuar edhe personat e rrethit të ngushtë familjarë, si prindërit, bashkëshortët, apo bashkëshortet dhe fëmijët, që përbëjnë numrin total të 121 refugjatëve.
Për “cilësinë” e refugjatëve që ka marrë Shqipëria foli edhe Kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit të dhënë për CNN.
“Duke parë listën që kemi marrë, emrat e njerëzve, profilet e tyre mund të shihja artistë, gazetarë, kineastë, yje filmash, apo fytyra që ndoshta i kemi njohur përmes Netflix, filmave”, tha ai.
Pasi iu nënshtruan vizitave mjekësore në çadrat e ngritura nga ushtria në Aeroportin e Rinasit, testeve anti-Covid dhe regjistrimit të të dhënave personale, ata u transportuan për në Durrës me autobusë për t’u strehuar nëpër hotelet e përcaktuara më herët.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka që i priti në Rinas së bashku me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim tha se Qeveria shqiptare do të garantojë sigurinë dhe kushtet e përshtatshme për qëndrimin e tyre.
Qeveria miratoi më 25 prilli vendimin që i hapi rrugë pritjes së afganëve. Sipas këtij vendimi, atyre u jepet automatikisht një leje qëndrimi 1-vjeçare në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




