Futbolli prej vitesh është shndërruar në sport milionash, ku futbollistët brenda një kohe të shkurtër bëhen milionerë. Dihet rivaliteti që kanë Real Madrid dhe Barcelona, sidomos në vitet e fundit, ku të dyja ekipet kanë dueluar me njëra tjetrën se kush do të jetë dominuesja e futbollit botëror. Por përtej fushës së blertë dhe golave që shënohen, duke ekzaltuar të gjithë të pranishmit në stadiume, ka një betejë akoma dhe më të ashpër, madje jetike në fushën e milionave.

Real Madrid dhe Barcelona janë në mesin e 10 skuadrave më të pasura në futbollin europian, ndërsa në Spanjë nuk kanë rivalë, siç në fakt ndodh edhe në fushën e lojës. Të ardhurat totale të Real Madrid për sezonin e shkuar ishin 748.04 milion euro, duke e kaluar kështu klubin katalanas, që fitoi vetëm 686 milion euro.
Të ardhurat janë një përzjerje, mes përfitimeve nga shitjet në merkato, marketingu, shpërblimet për trofetë e fituar dhe të drejtat televizive, sigurisht pa përjashtuar burimet e tjera, që gjithsesi janë në nivele më të ulta. Barcelona pati përfitime të mëdha nga merkato, pasi shiti për 227 milionë euro Neymar te PSG. Ndërsa Real Madrid nuk fitoi më shumë se 54.21 milionë euro nga merkato, duke shitur Morata te Chelsea.

Fitimi marramendës i Real Madrid më së shumti ka ardhur për shkak të së drejtës televizive, por edhe të shpërblimeve që jep Uefa lidhur me triumfet në kupat ndërkombëtare. 86.46 milionë euro Real Madrid ka fituar nga Liga e Kampionëve, 4 milionë nga Superkupa dhe 18.54 milionë euro i ka fituar nga Kupa e Botës dhe pjesëmarrja në ndeshjet miqësore gjatë verës. Të drejtat televizive kanë çuar 178.4 milionë euro në arkat e klubit “Merengues”, ndërsa nga marketingu klubi madrilen ka fituar 297 milionë euro.
Edhe pse fitimet janë kolosale, sërish Real Madrid nuk është që ta vetëfinancojë rindërtimin e stadiumit të saj “Santiago Brenabeu”. Sipas gazetës spanjollë “Marca” kosto totale e rindërtimit të mitikut “Bernabeu” i kalon mbi 550 milionë eurot. Për këtë arsye presidenti i Real Madrid, Florentino Perez ka kërkuar ndihmën e asamblesë së ortakëve të klubit për të aprovuar një kredi që do të mbulonte koston e ndërtimin. Sipas medieve spanjolle Real Madrid nëse sforcohet mund ta rindërtojë pa kredi stadiumin, por kjo gjë do të sillte pasoja në merkaton e klubin që me shumë gjasa do të limitohej dhe nuk do mund të shihnim blerje të bujshme të paktën për një periudhë 10-vjeçare. Në fakt plane për rindërtimin e stadiumit nuk ka vetëm Real Madrid, por edhe Bracelona po mendon një gjë të tillë prej vitesh. Klubi “Blaugrana” ka paraqitur projektin për mbulimin total të stadiumit, bashkë me rikonstruksionin e brendshëm. Por përveç kësaj, Barcelona planifikon të ndërtojë një resort, që do të akomodonte akademinë dhe skuadrën e parë dhe që mund kushtojë deri në 150 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




