Era e qofteve në zgarë ka nisur të ndihet edhe jashtë kufijve. Ato nuk mund të zënë vendin në krye të menusë së ushqimeve shqiptare, ca më shumë që kulinaria në vendin tonë është zhvilluar mjaft mirë së fundmi sa ka zënë vend fuqishëm në promocionet turistike të vendit.
Por ama asnjëherë nuk ka rënë nga froni e ndoshta tani tenton të jetë edhe pjesë e brendit shqiptar. Pse jo?!
“Qofte dhe raki”, është togfjalëshi më i shpeshtë që dëgjon nga turistët kur natyrshëm u drejtohet pyetja se çfarë pëlqejnë më shumë në kuzhinën shqiptare.
Ky kombinim, autentik sipas tyre e njëherësh i thjeshtë, në fakt u ka rezistuar proceseve transformuese të Tiranës e bashkë me to edhe transformimit të shijeve të banorëve, duke u bërë ballë kërkesave gjithnjë e më shumë ekstravagante.
Përbri ushqimeve tradicionale të kulinarisë shqiptare duket se po renditen gjithnjë e më shumë edhe zgarat ku qoftet në sytë e turistëve të huaj po kthehen në një nga ushqimet përfaqësuese të saj.
Disa guida të cilat janë në ndërveprim të vazhdueshëm me turistët e huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë e kryesisht Tiranën, pohojnë për Gazetasi.al se zgarat në Shqipëri jo pak herë po ia dalin të vjedhin vëmendjen e turistëve dhe madje po shërbejnë si një ndër “asetet” që ia vlen të përmendet kur vjen fjala për marketingun e kulinarisë shqiptare.
“Discover Tirana”, një guidë lokale, thotë për gazetasi.al se gjithnjë e më shumë është shtuar numri i turistëve të huaj që i preferojnë zgarat saqë vetë përfaqësuesit e guidës, kanë shtuar në sugjerimet e tyre për turistët në web-in zyrtar disa zgara të kryeqytetit.
“Turistët nga vendet e ulëta që kanë marrëdhënie shumë të mirë më birrën janë përgjithësisht kategoria e turistëve që i pëlqen më shumë qoftet sepse mendojnë se është një kombinim i mirë mes të dyjave. Kanë çmime të lira dhe shije të mirë, kaq ka mjaftuar për t’i ngjitur zgarat në këtë nivel vëmendjeje dhe pune që kanë sot. Turistë nga Holanda, Belgjika por edhe nga Gjermania e Italia janë shtuar në këtë grup. Zgarat janë kthyer në një atraksion ushqimi që ne ua sugjerojmë me patjetër, sepse edhe nëse nuk e bëjmë ne, ata kanë dëgjuar për qoftet në Shqipëri”, thonë përfaqësuesit e “Discover Tirana” për Gazetën “Si.”
E në fakt, nga një vëzhgim në treg kuptohet interesi dhe vlerësimi i madh i turistëve të huaj ndaj qofteve shqiptare.
Në Spille, ndër plazhet e populluar me turistë gjatë sezonit të verës, gjithë çfarë të sheh syri buzë perimetrit të rrugëve janë njerëz që konsumojnë qofte dhe pinë birra pa reshtur, në drekë, në darkë, mes vakteve.
Në orvatje për të kërkuar restorante të mira peshku më një ushqim më të rafinuar, shikon që masa ishte aty, tek qoftet dhe birrat, shqiptarë dhe sidomos të huaj, tek ky ushqim i shpejtë me shijen që të katapulton në të kaluarën.
Po njësoj, po të bësh një shëtitje edhe në Tiranë vërën që zgarat e qofteve gëlojnë nga njerëzit. Mes tyre pikasen disa të moshuar që po konsumojnë diku në një cep pak më të izoluar nga zhurmat, e diku tjetër familjarë dhe grupe të rinjsh që bisedojnë zellshëm me njëri-tjetrin.
Shenjat e pandemisë e cila për një periudhë kohe e uli numrin e klientëve që frekuentonin zgarën, nuk duken më.
Te Pazari i Ri, prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh gjendet dyqani i “Met Kodrës” i cili edhe sot të kthen prapa në kohë, ku ashtu si atëherë, jo pak njerëz interesohen për sekretin e qofteve në të cilat ndihet shija e thjeshtë por njëkohësisht dallohet edhe gërshetimi i disa përbërësve.
Por ndryshe nga atëherë, kur marketingut nuk i jepet aq rëndësi sa sot, tashmë aty gjen edhe plot turistë të huaj që tek orientohen shpesh nga guidat shqiptare për në këtë dyqan, po shtohen ndjeshëm.
Pavarësisht rinovimit nga jashtë të dyqanit, ai në filozofi mbetet tradicional dhe ndonëse Mehmet Kodra nuk jeton më prej disa vitesh, ruajtja e traditës familjare duket se ka qenë gjëja më e rëndësishme për familjarët e tij që vijojnë të punojnë fort.
“Dyqani i Metit shquhet për qoftet në zgarë dhe ne prej disa vitesh nuk e kemi tradhëtuar këtë dyqan. Pavarësisht se kuzhina shqiptare është shumë e pasur dhe kemi një larmishmëri produktesh që mund të konsumojnë, qoftet sërish mbeten ushqimi ynë i preferuar.
Shkojmë ku shkojmë aty përfundojmë. Përveç faktit se janë shumë të lira në çmim, me vetëm një simite të ngrohtë dhe disa prej tyre ngopesh dhe mbi të gjitha të shijon shumë”, tha për Gazetasi.al Albana, një mama 36-vjeçare e cila po konsumonte aty sëbashku me familjen e saj.
Tani, bashkëshorti i njërës prej vajzave që punon në dyqanin e Metit prej disa vitesh, fjalëpak, shumë punëtorë dhe i shkathët, mendon që ka një sërë arsyesh se përse shqiptarët dhe turistët e huaj i pëlqejnë qoftet dhe se përse ky biznes është gjithmonë e më shumë në përhapje.
“Çmimet janë të lira, dhe kjo është një ndër arsyet kryesore se përse njerëzit nuk kanë hequr kurrë dorë nga qoftet. Një e tillë kushton vetëm 30 lekë të vjetra,çmimi nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me dikur.
Nëse është rritur disi, është rritur vetëm si pasojë e faktit që është rritur çmimi i mishit. Njerëzit janë dhe nostalgjikë ndonjëherë, mendoj që u kujtohen dhe kohët e dikurshme kur nuk kishim kaq shumë lloje ushqimesh sa sot e kur qoftet shpesh ishin kënaqësi më vete.”
Një nga sekretet e dyqanit të Met Kodrës, është fakti se fill që nga fillimi e deri më sot, mishin e kanë blerë gjithmonë tek i njëjti kasap i besuar, në mënyrë që shija të vijoje të jetë e njëjta dhe tradita të mos zbehet ndër vite.
E në fakt, thjeshtësinë e kohërave të shkuara tek Met Kodra ta fal edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me lokalin përkarshi.
Menuja e Metit ofron vetëm qofte por nëse klientët duan birra, lokali ngjitur, përtej gardhit ta shërben atë, ashtu siç njëherë e në kohë bëheshin shkëmbimet në mes fqinjëve për të kompesuar atë që tjetrit i mungonte.
Në hyrje të pazarit, një grup turistësh nga Turqia, kërkonin me një hartë të vogël në dorë një zgarë se ku mund të konsumonin.
Në mes tyre, Fati i cili ishte një shqiptar por që jetonte në Turqi prej shumë vitesh, tha për Gazetasi.al se shokët e tij turq donin medoemos të pravonin qoftet në Shqipëri për të cilat kishin dëgjuar shumë.
“Në Tiranë ka shumë zgara të ndryshme se ku mund të konsumosh dhe ndonjëherë kur i krahasoj me shijen e ushqimit, çmimet më duken aq të ulëta, gati qesharake do thoja.
Është një kombinim i shkëlqyer, buka është shumë e mirë, mënyra se si gatuhen qoftet dhe të gjithë ushqimet e tjera shoqëruese. E kuptoj se përse ka një numër të madh zgarash në Tiranë, ka të bëjë me faktin se shqiptarët nuk i ndahen dot një ushqimi të tillë, që kushton pak por që shijon shumë,” tha ai dhe vijoi rrugën sëbashku me turistët që humbeshin mes kalimtarëve të rastit aty në mes të Pazarit.
Rruga e Kavajës gjithashtu lidhet shpesh me imazhin e disa zgarave që në seri vijojnë të njëjtën punë mekanike çdo ditë.
Në pamundësi për të takuar menaxherin, një nga kamarierët tek “Tymi” tha për Gazetasi.al se konsumatorët e përhershëm janë ata të moshës se mesme por së fundmi mes tyre hasen gjithnjë e më shumë të rinj, por sidomos të huaj.
Ai ndërmend për Gazetasi.al një rast turistësh të huaj gjermanë që pasi kishin konsumuar njëherë tek “Tymi”, ishin habitur aq shumë nga çmimet dhe shija, saqë gjatë gjithë qëndrimit të tyre e kishin konsumuar drekën për çdo ditë aty.
Shqiptarëve dhe të huajve dukshëm u pëlqen ky ushqim dhe gjithë lëmi i kujtimeve, thjeshtësisë dhe shijeve që ai përcjell. Ai po shndërrohet dita-ditës në një arsye se përse ia vlen të provohet si pjesë e kuzhinës shqiptare.
Dhe kjo nuk ka nevojë të artikulohet. U lexohet në lëvizje, tek rendin drejt qofteve edhe aty buzë detit…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.










