Është një historitë më të gjata, që duket sikur nuk do të marr fund asnjëherë. Klubi i Romës prej gati 10 vitesh planifikon të ndërtojë stadiumin e saj në periferi të kryeqytetit italian. Që me ardhjen në krye të klubit verdhekuq të investitorëve italo-amerikan, ishte që të ndërtonin një klub me parametra europian dhe hapi i parë për të realizuar një gjë të tillë do të ishte ndërtimi i një stadiumi, duke u larguar nga stadiumi i Bashkisë, “Olimpico”.
Por në këto vite Roma është duke hasur pengesa dhe probleme çdo ditë edhe më shumë. Në fillim kishte të bënte me terrenin, me mjedisin, pastaj edhe me banorët e zonës periferike. Por kur të gjitha këto probleme morën zgjidhje dhe klubi verdhekuq po priste vendimin e këshillit bashkiak, ka dalë një tjetër pengesë, por kjo po duket të jetë shumë më serioze.

Sipas medieve italiane pengesa tashmë është një ndërthurje mes politikës, korrupsionit, interesave ekonomik dhe mafies së ndërtimit. Për klubin roman çdo ditë po dalin pengesa burokratike që duket sikur nxiten nga politikanë që janë të interesuar që ky plan të mos zbatohet. Pengesat nuk kanë të bëjnë shumë çështjen sportive, por më shumë me ato ekonomike, pasi Roma planifikon që në zonën Tor di Valle, në perfiferi të kreyqytetit italian, të ndërtojë një zonë biznesi me stadiumin në qendër.
Në prezantimin e projektit, presidenti i Romës James Pallota pati deklaruar, se ndërtimi i stadiumit dhe i gjithë zonës së biznesit do të jetë më i rëndësishmi për Italinë në këto 10 vite. Por duke parë të gjitha vështirësitë që duket se shtohen çdo ditë, presidenti roman ka kërcënuar me braktisjen e klubit, “Nëse bllokojnë ndërtimin e stadiumit iki.”

Pallota bashkë me partnerët e tij i kanë dhënë kohë bashkisë së Romës dhe këshillit deri në muajin dhjetor, pasi nuk dëshirojnë që të shtyhet akoma më tej nisja e punimeve. Në fakt këtë problemet që është duke hasur Roma, më herët i kanë pasur edhe disa klube të tjera italiane. Dy milanezet, Inter dhe Milan, Fiorentina apo edhe Napoli prej kohësh kanë hedhur idenë dhe po mendojnë të ndërtojnë stadiumet e tyre të personalizuara. Por burokracitë në njësitë vendore në Itali dhe mangësitë ligjore kanë bërë që mos t’i konkretizojnë këto projekte që mund ta rikthenin Italinë në majën e futbollit botëror, aty ku ishte para disa vitesh.
Më poshtë video e prezantimit të projektit për stadiumin e ri të Romës:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




