Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë përmes një shënimi të publikuar në rrjetet sociale në lidhje me përplasjen për Goran Bregoviç, që kulmoi me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë performancës së këngëtarit në qytetin e Korçës mbrëmjen e së dielës.
“Muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, “Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”, shkruan Rama.
Rama e cilëson histeri mesjetare dhe të pabazuar në asnjë provë të gjithë reagimin kundër këngëtarit.
“Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë”, vijoi ai.
Sipas Ramës, kjo sjellje nuk bën asnjë dallim nga ajo e nacionalistëve serbë,
“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, vijon ai.
Përgjigjen për këtë pyetje retorike e jep në paragrafin tjetër.
“Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, të cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




