Treg

324 mln lekë kamatvonesa për 6 muaj. Ulen problemet me pagesat e faturës së energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raportoi se konsumatorët kanë paguar 1.86 milionë lekë kamatvonesa për 6 muajt e parë të vitit 2021. Vlera totale e penaliteteve llogaritet në 324 milionë lekë.

Njëkohësisht, OSHEE vazhdon të arkëtojë detyrimet që vijnë nga aktmarrëveshjet e borxheve ndër vite nga familjarët dhe bizneset në të paktën 2.000 lekë për muaj.  

Në total arkëtimet e OSHEE në fund të qershorit shënuan vlerën 35 miliardë lekë apo një mesatare 96.1 për qind si 6 mujor ndërkohë që maji dhe qershori kanë shënuar arkëtimet 100 për qind të faturave korrente ndryshe nga fillimi i vitit kur norma e arkëtimit të faturave ishte në nivelet pak më shumë se 86%

OSHEE raportoi se në 6 muaj janë regjistruar në total 2093 fatura të emërtuara pa lexim (dëm ekonomik) teksa sasia e energjisë së faturuar si dëm është në nivelin 14.1 mijë MWh.

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, arritën në një mesatare 22.3% në 6 mujor ku humbjet joteknike (lidhjet e jashtëligjshme, vjedhja e energjisë) zënë 7.7% kurse humbjet teknike që ka në rrjet edhe për shkak të amortizimit të tij 13.2%. Në tensionin e lartë humbjet në 6-mujor kishin një mesatare prej 1.47%.

Në rrjetin e shpërndarjes përgjatë periudhës janar-qershor ka hyrë në total një sasi energjie prej 3.9 milionë MWh. Në gjithë sektorin energjetik prodhimi ishte në total 6 milionë MWh nga të cilat rreth 57 për qind erdhi nga KESH ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet private që ose shesin energji në tregun e lirë sit ë pavarur ose tek OSHEE të konsideruar si prodhues me përparësi me kapacitet të instaluar 15 MW.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë