Ngjarje

Arrestohet i riu që hodhi gaz lotësjellës në koncertin e Bregoviçit. Mediat serbe: Skandal!

Një 21-vjeçar është arrestuar këtë të hënë, ndërsa një tjetër person është proceduar penalisht në gjendje të lirë pas incidentit të shkaktuar mbrëmjen e së dielës në Korçë gjatë koncertit të Goran Bregoviç ku u hodh gaz lotësjellës.

Në pranga ka rënë Redon Leka, 21 vjeç nga Tirana, person me precedent të mëparshëm penal për prodhimin e shitjen e narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kundër pronës. Ndërsa është proceduar shtetasi F.K. 33 vjeç nga Lushnja.

Leka, dyshohet se ka hedhur kapsolla lotsjellëse me qëllim cenimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet. Ndërkohë, gjatë shoqërimit drejt ambienteve të komisariatit, 33-vjeçari F.K., ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës.

Në vendngjarje u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur.

Koncerti i Goran Bregoviçit një natë më parë, nisi me incident, pasi në mes të publikut është hedhur gaz lotsjellës.

Incidenti u hodh në zonën VIP të terminalit të Korçës, ku ishin të pranishëm edhe personalitete të artit dhe funksionarë të lartë të politikës.

Pas situatës së krijuar, njerëzit shihen duke mbuluar me shami hundën dhe duke lotuar, ndërkohë që për momentin u shpërndanë.

Në nisje të koncertit, Bregoviç tha se ishte shumë i lumtur që ishte në Korçë dhe falënderoi për ftesën bashkinë, duke siguruar se “do jetë zbavitje për të gjithë”.

Ndërkohë, mediat serbe e kanë cilësuar një skandal atë që ka ndodhur në koncertin e këngëtarit të njohur. Disa prej tyre janë përqëndruar veçanërisht në incidentin me gazin lotsjellës.

“Blic.rs” i ka kushtuar vëmendje performancës që shkaktoi debat në Shqipëri, ndërsa e quan skandal atë se çfarë ndodhi në Korçë. Sipas saj, disa persona u lënduan dhe një prej tyre përfundoi në spital, madje “gazi solli dhe shpërndarje të turmës”.

Ardhja e këngëtarit Goran Bregoviç në Korçë shkaktoi debate në mediat sociale, ku disa këngëtarë shqiptarë dhe nga Kosova, bën thirrje që të bojkotohej koncerti i tij.

Sipas tyre, ai është një artist i provuar si antishqiptar dhe autor i këngës që njihet si himn për masakrat serbe në Kosovë, gjatë 1999, “Kallashnikov”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë