Analize

Refugjatët afganë, sa janë evakuuar deri tani dhe ku po të strehohen?

Të paktën 18,000 njerëz janë evakuuar përmes aeroportit të Kabulit që kur talebanët morën kontrollin e vendit të dielën e kaluar. Mes tyre janë anëtarë të stafit të qeverisë perëndimore dhe punonjësve të agjencive humanitare si dhe banorë afganë që kanë punuar me qeveritë perëndimore ose agjencitë e tyre, ose që perceptohen të jenë veçanërisht të rrezikuar për shkak të natyrës së punës së tyre, siç janë gazetarët, përkthyesit ose aktivistët e të drejtave të njeriut.

Shumica u evakuuan nga Kabuli me avionë mallrash nga ushtria amerikane. Mbretëria e Bashkuar tha se kishte evakuuar rreth 1,200 njerëz jashtë vendit deri në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë tha të premten pasdite se kishte marrë rreth 1,700 njerëz.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha se vendi i tij kishte evakuuar  550 njerëz nga Afganistani deri më tani, ndërsa Franca dhe Italia thonë se kanë evakuuar rreth 500 persona secila. Shtetet e tjera të përfshira në përpjekjet e evakuimit përfshijnë Australinë, Kanadanë, Republikën Çeke, Danimarkën, Poloninë dhe Zvicrën.

Ku janë ata tani?

Shumica e avionëve ushtarakë jashtë Kabulit janë ndalur në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent, Doha në Katar ose Islamabad në Pakistan, ku njerëzit po nisen me fluturime të rregullta në vendin pritës.

Mijëra afganë, kryesisht civilë që kanë punuar me misionet amerikane ose ndërkombëtare në vend, do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoninë Veriore, ndërkohë që u sigurohen vizat amerikane. Tre vendet e Ballkanit, të cilat do të marrin një numër ende të pakonfirmuar të të evakuuarve afganë nga kjo fundjavë, janë vendet e para europiane që angazhohen për një marrëveshje të vendit tranzit me SHBA.

Skema të ngjashme tranziti janë planifikuar për Kolumbinë, Ugandën dhe Katarin.

Cilat vende kanë premtuar t’i strehojnë?

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të mirëpresin 10.000 njerëz nga Afganistani, ndërsa Australia do të pranojë 3.000 sipas një programi ekzistues.

Taxhikistani tha muajin e kaluar se ishte gati të strehonte 100,000 njerëz të zhvendosur nga vendi i tij fqinj.

Shumica e vendeve evropiane kanë ngurruar të angazhohen për të strehuar një numër të caktuar refugjatësh afganë, përveç atyre që kanë bashkëpunuar me agjencitë e tyre, mes shqetësimeve për një përsëritje të krizës së refugjatëve në 2015.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u tha kolegëve të partisë se vendi i saj do të duhet të pranojë rreth 10.000 njerëz në rrezik nga Afganistani, ndërsa theksoi se shumica e refugjatëve do të duhet të strehohen në vendet fqinje me Afganistanin.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se mund të ofrojë strehë për 20,000 refugjatë afganë gjatë viteve të ardhshme, me fokus gratë, fëmijët dhe pakicat fetare. Kanadaja është zotuar të strehojë të njëjtin numër.

BE i kërkohet të ndryshojë qasje

Ministrat e jashtëm të BE-së, gjatë një takimi këtë javë u zotuan të parandalojnë çdo “lëvizje të emigrantëve në shkallë të gjerë” në Europë.

Për të arritur në Europë, refugjatët nga Afganistani duhet të hyjnë dhe të kalojnë në vende si Irani dhe Turqia, të cilat tashmë strehojnë miliona refugjatë dhe janë të zënë me forcimin e kufijve të tyre; ata duhet të shmangin bregdetin  dhe rojet kufitare në të dy anët e kufirit turko-grek; dhe më pas të përballen me një breshëri kundërshtimesh të dhunshme ndërsa përpiqen të kalojnë në Ballkanin Perëndimor.

Ministrat e punëve të brendshme të BE-së diskutuan fillimisht ardhjen e azilkërkuesve irakianë dhe afrikanë të cilët kaluan nga Lituania, Letonia dhe Polonia, për tiu larguar larguar regjimit bjellorus.

Nuk është për t’u habitur, diktatori bjellorus Aleksandër Lukashenko ka vënë re se sa e lehtë është të nxisë tensionet politike në Europë duke lejuar emigrantët dhe refugjatët të kalojnë kufijtë për në BE, një mjet të cilin e ka përdorur Erdogan dhe kohët e fundit, qeveria marokene.

Dhe ndërsa Komisionerja e BE -së për çështjet e brendshme Ylva Johansson theksoi se kthimet në Afganistan ishin të pajustifikueshme, Brukseli ka deklaruar se përpjekjet për të vulosur kufijtë e BE – me ose pa arritur marrëveshje me autokratët duhet të jenë në përputhje me vlerat e BE -së.

E vërteta është se udhëheqësit e BE -së nuk mund të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje të dyja anëve të ndarjes ideologjike mbi migracionin, duke pretenduar se ata po bëjnë çmos për të mbrojtur civilët e rrezikuar në Afganistan, ndërsa, në të njëjtën kohë, sinjalizojnë se kufijtë e Europës janë të mbyllur për refugjatët dhe emigrantët.

Në vend të kësaj, BE -ja duhet të demonstrojë se ekziston mundësia që të menaxhohet migrimi në një mënyrë humane dhe të qëndrueshme. BE-ja duhet të përqendrohet në faktin se të gjitha vendet – përfshirë shtetet e saj anëtare t’i mbajnë kufijtë  të hapur për njerëzit që po largohen nga dhuna dhe persekutimi.

BE -ja gjithashtu duhet të marrë parasysh thirrjet e fundit të agjencisë së OKB -së për të ndaluar deportimin e afganëve duke pezulluar zyrtarisht marrëveshjen që kishte nënshkruar me qeverinë afgane në fillim të këtij viti, dhe të përfundojë çdo fantazi të deportimit të afganëve në Iran ose Pakistan.

Dhe duhet të rrisë ndjeshëm kuotat e saj të zhvendosjes dhe mekanizmat humanitar të evakuimit për të mbrojtur sa më shumë refugjatë afganë gjatë rrugës për të arritur në destinacionin përfundimtar.

Në planin afatgjatë, Komisioni Europian duhet të rishqyrtojë Paktin për Migracionin dhe Azilin, të cilin e ka miratuar gati një vit më parë.  Ndërsa tragjedia që po shpaloset në Afganistan po demonstron edhe njëherë se shumica e njerëzve që përpiqen të largohen nga luftërat qëndrojnë brenda vendit ose në vendet fqinje.

Në vend që të përshihet nga paniku, BE-ja duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të siguruar që shtetet anëtare që ende respektojnë normat ndërkombëtare, të zbatojnë aktualisht ligjet ekzistuese të azilit dhe të bashkëpunojnë për të strehuar refugjatët në mënyrë të barabartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë