Ngjarje

Shpronësimi, “Sarajet” vlerësohen 178 mln lek

Me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka shpallur në Fletoren Zyrtare kërkesën për shpronësim për interes publik të “Sarajeve” të Tiranës, kategorizuar si monument kulture i mbrojtur nga shteti, që pak ditë më parë u tentuan të digjeshin.

Sipas kërkesës së Agjencisë së Shtetërore të Shpronësimeve shpronësimi i “Sarajeve” kërkohet në kuadër të projektit restaurimi dhe rijetësimi i “Banesa e Toptanasv, Muzeu Etnografik i Tiranës.

“Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilët do të kompensohen, sipas vlerësimit paraprak të
llogaritur”, thotë Agjencia.

Vlera totale paraprake e shpronësimit është përllogaritur në rreth 177 milionë lek.

“Sarajet” përfunduan në qendër të vëmendjes publike pas një tentative për djegien e tyre. Nga opozita akuzuan kryebashkiakun Erion Veliaj se qëndronte pas kësaj përpjekje për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave në këtë zonë.

Por, kryebashkiaku i Tiranës u përgjigj përmes publikimit të një videoje ku shfaqet një person me një pishtar flake në dorë teksa nxiton pranë Monumentit të Kulturës. Fatmirësisht flakët u vunë nën kontroll, ndërsa debati për autorësinë vijon ende.

Gazeta Si solli të martën një intervistë ekskluzive të Dilaver Laçit, ish-drejtor i zjarrfikësve, që akuzon ndërtuesit që qëndrojnë pas përpjekjeve për djegien e monumentit.

Po me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve ka publikuar në Fletoren Zyrtare edhe vlerësimin e Sarajeve të Libohovitëve. Në vlerësimin e Agjencisë, kjo pronë vlen paraprakisht rreth 506 milionë lek.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë