Ka ndodhur

Zjarret, mbeten aktive vatrat në Veri të vendit. Edhe në Himarë situatë problematike (Video)

Vijojnë të jenë ende aktive vatrat e zjarrit në Thirrë të Lezhës dhe në Katund të Vjetër, por fatmirësisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në terren ndodhen forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve. Gjatë kësaj të premteje, nuk ka prezencë ere në terren, gjë që mund të ndihmojë për përmirësimin e situatës. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se vatra zjarri aktive në vend ka në të paktën 5 qarqe të vendit.

Qarku Lezhë

Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshati Thirrë – Vatra e zjarrit ka avancuar poshtë shpatit me intensitet të ulët në drejtim të fshatit Xhuxhë. Forcat në terren kanë vështirësi për shkak të tymit të dendur. Nuk ka rrezik për banesat. Për shuarjen e zjarrit veç helikopterit holandez Chinook janë angazhuar trupat e FA dhe autoritetet lokale.

Bashkia Mirditë, njësia administrative Rubik, fshati Katund i vjetër. Situata është më e qetë. Ka vijuar puna për normalizimin e situatës me ndërhyrjen e helikopterit Cougar të FA-ve, trupat e FA-ve dhe autoritetet lokale.

Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshatrat Munellë dhe Domgjon – Aktualisht vatra nuk paraqet rrezik dhe po monitorohet në terren. Zjarri vijon në një zonë të zhveshur pa bimësi.

Bashkia Lezhë, njësia administrative Kolsh, fshati Patalej – Vatra e zjarrit është izoluar dhe në disa pika të saj ka tym. Situata po mbahet në monitorim nga forcat e pushtetit vendor.

Qarku Shkodër

Bashkia Pukë, Fushë Kumulli, Qershizë – Situata është nën kontroll dhe paraqitet e qetë, por në terren mbeten të angazhuara 25 trupa të FA-ve, 8 nga shërbimi pyjor dhe 8 zjarrfikës.

Bashkia Fuzhë Arrëz, njësia administrative Blerim, fshati Flet – Situata paraqitet më e qetë. Në terren po punohet nga 20 trupa të FA dhe 52 forca të bashkisë dhe shërbimit pyjor. Nga ana e fshatit Srriqë, situata është pak më problematike, ku është planifikuar të ndërhyhet nga ajri.

Bashkia Shkodër, njësia administrative Gur i zi, fshati Gur i zi – Situata paraqitet e qetë, megjithatë vijon puna në terren nga FA dhe shërbimi pyjor lokal.

Qarku Kukës

Bashkia Kukës, Maja e Rrunës – Situata paraqitet më e qetë, megjithatë krahas ndërhyrjes së helikopterit holandez Chinook, vijon puna në terren nga FA, zjarrfikësit lokalë dhe punonjësve të njësisë administrative.

Bashkia Kukës, në vendin e quajtur stanet e fshatit Morin, në afërsi të malit Koritnikut, brenda parkut natyror Korab-Koritnik zonë e mbrojtur, vijon të jetë aktive vatra, sot janë angazhuar 5 punonjës të AdZM Kukës dhe 10 forca të njësisë administrative Tërthorë.

Qarku Dibër

Bashkia Dibër, njësia administrative Selishtë, Qafë Murrë, Kaçni – Pasditen e djeshme ka pasur një riaktivizim të vatrës dhe sot janë angazhuar zjarrfikësit e Dibrës, punonjësit e shërbimit pyjor dhe 10 vullnetarë. Nga ana tjetër në Baxhaj po punojnë punonjësit e bashkisë Klos, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qarku Vlorë

Bashkia Himarë, vijon aktive vatra në përroin e Vishës. Gjatë natës zjarri nuk ka avancuar. Aktualisht digjen vetëm trungje brenda vatrës si dhe humusi. Terreni është i vështirë dhe nuk lejon nderhyrjen nga toka. Sipërfaqja është me shqopë dhe koçimare. Situata po monitorohet nga zjarrfikësit lokalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë