Rend dhe Ligj

Arrestohen dy truprojat e ish-ministrit. Roli i tyre në trafikun e drogës me grupet kriminale të Vlorës

Dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Burime policore raportojnë se Hekuran Marku u arrestua në Gjermani dhe Paul Deda alias Agustin Deda në Francë.

Emrat e tyre kanë dalë në përgjimet e disa grupeve kriminale që u shkatërruan pak javë më parë kur u krye opracioni "Shpirti" .

Mediat shqiptare kanë shkruar se SPAK ka dërguar dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tyre në Shqipëri, por deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Dyshimet e anti-mafias italiane

Dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, dyshohen se sëbashku me shtetasit Elton Bregasi, Silvio Sidella, Rafaelle Addante, Giusepe Vispo dhe Alessio Ventarella - sipas Antimafias Italiane - kanë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin 1.016 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruar shtetasve Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini.

Sasia e marijuanës, ishte kultivuar pikërisht nga dy ish-shoqëruesit e Tahirit dhe shtetasi shqiptar Bregasi.

Ata rezultojnë të dyshuar si të përfshirë në trafik me grupet të ndryshme kriminale të Vlorës.

Në fakt, Marku dhe Deda janë dorëhequr nga radhët e policisë në vitin 2017, por që gjatë kohës së hetimit mbanin detyrën e bodyguardëve të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Ata dyshohen nga Antimafia Italiane sipas asaj që iu vendos në dispozicion GazetaSi.al, se kultivuan parcela me drogë sëbashku me një shtetas shqiptar të identifikuar si Eltjon Bregasi ose “Pingio” dhe më pas e trafikuan atë drejt Italisë.

Rrëfimet e dëshmitarëve të drejtësisë

Në dosjen që GazetaSi.al, ka zbardhur para pak javësh, dëshmitarët tregojnë rolin e shoqëruesve të ish-ministrit.

Një nga të penduarit, rrëfen faktin se policia ndihmonte trafikantët në ngarkim dhe shkarkim droge.

“Pingio, Gusti, Hekurani dhe tre katër djem, erdhën nga Tirana ku kishim lënë gomonen. Erdhën me furgonat e ngarkuar me drogë. Ishin tre me targat e Tiranës. Ata na ngarkuan gomonen me marijuanë. Gjatë ngarkimit të gomones, Gusti dhe Hekurani kishin radiot e pistoleta, ata janë policisë, por nuk ishin me veshje policie”, - thuhet nga dëshmitari në dosjen hetimore që dërgoi në pranga 28 persona.

Ajo që tregon i pandehuri, hedh dritë mbi krimin policor dhe përdorimin e mjeteve policore deri tek fikja e radarëve. Në dëshminë e tij tronditëse, ai shton se kishte parë shoqëruesit të filsnin me radiot e tyre të policisë me kolegët e tyre, duke iu komunikuar “se çdo gjë shkonte mirë” para nisjes nga Shqipëria në Itali.

Sipas dëshmive, roli i Hekuran Markut dhe Agustin Dedës ka qenë gjithëpërfshirës në trafikun e drogës.

Në një episod, dy ish-shoqëruesit e Tahirit kanë ndërhyrë për të transportuar sasitë e marijuanës, pasi punëtorët ose skafistët (bashkëpunëtorët aktualë të drejtësisë), i kanë njoftuar se kishin parë policinë lokale.

Në këtë rast, Marku dhe Deda janë vonuar, pasi siç rezulton në përgjime, kanë qenë me shërbim me ministrin, por i kanë komunikuar punonjësve të tyre qëndrojnë të qetë, “sepse nuk kishte asnjë sinjalizim për transportin tonë”.

Operacioni "Shpirti"

Në orët e para të mëngjesit të 2 korrikut 2021, u ekzekutuan 28 urdhër-ndalime në kuadër të operacionit të koduar antidrogë "Shpirti" në disa shtete: Itali, Shqipëri e Mali i Zi, ndërsa 10 të tjerë ishin arrestuar më parë.

Gjatë operacionit të urdhëruar nga SPAK dhe antimafia italiane, mes 38 të arrestuarve, u ndalua dhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, i lindur në Krutje të Lushnjës, por që përfaqësonte akuzën në Vlorë, si dhe Ilirjan Balla, shef i trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në pritje të procesit gjyqësor, për ta është caktuar masë sigurie “arrest në shtëpi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë