Drejtësia

I dënuar për trafik droge, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për ish-truprojën e Saimir Tahirit

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka konfirmuar dënimin për Hekuran Markun, ish-truprojën e Saimir Tahirit, me 13 vite burg.

Prokuroria kërkoi 12 vite heqje lirie për Markun, ndërsa GJKKO rriti me një vit dënimin, në 13, por ai përfitoi zbritje të dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite e 8 muaj.

Ai u vu në pranga në gusht të vitit 2021 i akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës. Marku u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila kërkoi dënim me 12 vite burg, por GJKKO vendosi 1 vit më shumë.

Emri i tij doli në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”, në të cilin u vendosën në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.

Marku ishte pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, në vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Në atë kohë, sipas SPAK, Marku bashkëpunoi me katër italianë dhe një bashkëkombas, Eltjon Bregun, në trafikimin e rreth 1 ton kanabis drejt Italisë me kolegun e tij, Agustin Deda, me këtë të fundit ende në kërkim nga policia.

Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona. Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë