Dosje

Dosja e komisarëve të drogës/ Si dështoi pastrimi i policisë nga zyrtarët e përmendur në kanabizimin e vendit

Njëri pas tjetrtit, ashtu si Gazeta “Si” ka rapotuar herëpashere, oficerë policie po konstatohen si të implikuar ose në shpërndarje droge si rasti i policit të Shqiponjave në Sarandë, apo i oficerit të Reneas në Durrës dhe, akoma më keq, të lidhur e të gërshetuar me grupet kriminale. Një zyrtar i lartë i antitrafiqeve, me herët i reklamuar si i suksesshëm gjatë kohës që drejtimin e ministrisë e mbante Saimir Tahiri, doli në skenë mbas goditjes së katër grupeve kriminale që u bënë bashkë dhe trafikuan nga Shqipëria drejt brigjeve italiane gati 6 tonë kanabis. Kjo ndodhi në raste të shkëputura, në përpjekjet e trafikantëve që gjetën e siguruan jo vetëm forma të sofistikuara përfshi edhe paletat e druve, por së pari mbështetjen e policisë vendase në qytete të përfolura për problemet me drogën, si Vlora, Durrësi dhe Kavaja.

Ilirjan Balla, së bashku me një tjetër nënkomisar rezultojnë të dyshuar e të implikuar në trafik droge me grupet kriminale të Vlorës dhe sëbashku me ta, edhe dy ish-oficerë të dorëhequr nga policia prej 2017-s, por që gjatë kohës së hetimit mbanin detyrën e bodyguardëve të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ata dyshohen nga Antimafia Italiane sipas asaj që iu vendos në dispozicion Gazetës “Si”, se kultivuan parcela me drogë sëbashku me një shtetas shqiptar të identifikuar si Eltjon Bregasi ose “Pingio” dhe më pas e trafikuan atë drejt Italisë në sasinë e 1016 kilogramëve.

Dosja që Gazeta “Si” zbardh, tregon se si Festim Lelaj që është në pritje të një vendimi të gjykatës për një hetim tjetër droge, Ilirian Balla, shef i Antitrafikut, dikur zëvendësdrejtor i Policisë së Vlorës dhe Artur Krasniqi, oficer i policisë së Kavajës, shpërdoruan detyrën duke favorizuar trafikantin Ilirian Ducellari . Trafikantit të zbuluar gjatë 2020-s nga pala italiane, iu garantua rrugëkalim i lirë nga zëvendësdrejtori i atëherëshëm i Policisë së Vlorës, i cili nuk pësoi asnjë ulje në detyrë në vitet në vazhdim, ashtu sikundër është vepruar edhe me oficerë të tjerë të lakuar e të dyshuar të cilët përkundër akuzave, janë rritur në detyrë.

“Me lidhjet që kishte në Policinë e Shtetit - pohoi një prokuror italian për Gazetën “Si” - trafikanti garantoi kalim të qetë të furgonëve të mbushur me drogë, të mosprekjes së ngarkesës atje ku mbahej e fshehur dhe më pas nën sigurinë e policisë se nuk do ta bllokonte, ngarkesa vijonte udhëtimin”. Antimafia Italiane shton për Gazetën “Si” se trafikanti bënte të mundur nën këtë petk mbrojtjeje policore, të fikte radarët që kontrolloni bregdetin shqiptar dhe ujërat kombëtare.

Dy dëshmitarët e drejtësisë në Itali tregojnë se si pas trafikimit të drogës në Bari, ata u kthyen në Shqipëri duke u nisur me traget nga Bari. “Pasi arritën me traget në Portin e Durrësit, u shoqëruam nga policia për faktin se kishim kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe pasi u morëm në pyetje në darkë, u lamë të lirë”, rrëfehet skafisti i grupit. Atij i është kërkuar të paraqitet në Policinë e Kavajës ku më tej është marrë në pyetje nga oficeri Artur Krasniqi, i cili dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.

Dosja e italianëve gjatë operacionit “Shefi”, që është kryer muaj më parë, lë të kuptosh se si flasin trafikantët me njëri-tjetrin.
Shtetasi Ferhat Aydini kishte trafikuar në Itali drogë së bashku me Fiqiret Seferin, të thërritur në përgjime si “Reti”. Biseda zhvillohet më 20 gusht 2016 mes Samuel Mucës, të thirrur “Ermali”. Teksa flasin për 10 kilogramë me çmim 1800 euro për kilogram, biseda vijon: “Domethënë… kemi shkuar dhjetë vetë e kemi punuar e tani do marrë prapë?”
Po ashtu përmendet edhe emri i punonjësdit të Bashkisë Saimir Kurti dhe një personi tjetër me emrin Luan që ishin në pritje të lëndës e që i ishte dhënë Shkëlzen Dacit.

Më 23 gusht 2016, Seferi flet me Ajdinin: Ky i fundit do të përfundonte punën në darkë e një ditë më pas “punën me malokun”, duke nënkuptuar Shkëlzen Dacin. Me të, zgjidhja e punës do të bëhej ballë për ballë, thuhet në telefon.

Ilirian Ducellari identifikohet sipas Antimafias Italiane nga dy dëshmitarë të drejtësisë si Lani apo “Sybardhi” dhe “Daja”.
Ky trafikant kishte arritur të kultivonte në Prefekturën e Beratit dhe konkretisht në Çorovodë rreth 7 mijë rrënjë kanabis dhe më herët ai zotëroi një plantancion prej 30 mijë rrënjësh. Nga 2014 deri në 2017 trafikanti transportoi drejt Italisë tetë ngarkesa, ku për çdo udhëtim kishte një fitim bruto prej 1 milionë e 400 eurosh deri në 1.6 milionë euro.

Përgjimet e italianëve të vendosura në dispozicion Gazetës “Si” tregojnë si vijon biseda e zhvilluar në 20 gusht 2016, nën këqyrjen e autoriteteve policore italiane. Takimi zhvillohet në Mola di Bari pranë një bari të quajtur “Adriatico” mes shtetasve Ajdini dhe Malton Lleshi, ku ky i fundit mbërrin bashkë me Gëzim Bircaj. Në të njëjtën ditë, Fiqiret Seferi telefonon Samuel Mucën duke e pyetur në lidhje me punën e “Labit”: “Labi a erdhi? I keni sistemuar llogaritë dhe gjithçka?”. Ndërsa Samuel Muca i përgjigjet: “Po po, Labi erdhi. Domethënë… ec tani se do takoj atë shokun e ta shpjegon”. Personi që përcaktohet si “Labi” është vlonjati Malton Lleshi, për të cilin do të rikuperoheshin me lekë për ngarkesën e një sasie droge.

Dëshmitari tregon se si mbrëmjen e 3 gushtit 2016, nën shoqërinë e një pronari hoteli të paidentifikuar prej tij në Malin e Robit, kishte dhënë mbështetje logjistike, përfshi edhe sistem GPS, për dy skafistët. Dëshmitari u thotë italianëve se si droga e “Labit” ishte e mbështjellë me letër alumini e shkruar me spray të kuq, ndoshta me shenjën X, kurse e Saimirit që ishte punonjës në bashki, me letër me ngjyrë kafe dhe e mbajtur në thasë të zinj. Dy truprojat e ish-Ministrit të Brendshëm dyshohen se sëbashku me shtetasit Elton Bregasi, Silvio Sidella, Rafaelle Addante, Giusepe Vispo dhe Alessio Ventarella - sipas Antimafias Italiane - kanë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin 1016 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruar shtetasve Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini, e cila ishte kultivuar nga dy ish-truprojat e ministrit dhe shtetasi shqiptar Bregasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë