Treg

Yield-et e bonove të thesarit po rriten ndjeshëm në gusht

Bonot me maturim 12 mujor janë shitur me një yield mesatar të ponderuar prej 1.84% nga 1.62% që ishin në ankandin e fillimit të muajit gusht dhe 1.51% në pjesën e dytë të korrikut.

Vlera totale e kërkesave të paraqitura për blerje në ankand ishte rreth 9.4 miliardë lekë, shumë kjo lehtësisht më e lartë se shuma e shpallur për financim, prej 9.2 miliardë lekësh.

Në ankandin e bonove me maturim 3 mujor yield-et pësuan një rënie të lehtë në 0.87%, nga 0.99% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm.

Banka e Shqipërisë ka rritur injektimin e parasë në sistem, për të shmangur pasiguri të lidhura me gjendjen e likuiditetit. Që nga marsi i vitit të kaluar, ajo e ka ulur normën bazë të interesit në nivelin më të ulët historik prej 0.5%, si edhe ka ndryshuar formën e zhvillimit të ankandeve të REPO-ve, duke ofruar akses në likuiditet me çmim fiks dhe sasi të pakufizuar për bankat tregtare.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se kjo formë e injektimit të likuiditetit do të vazhdojë të aplikohet të paktën deri në fund të tremujorit të tretë të këtij viti.

Pas pandemisë, depozitat janë rritur me ritme edhe më të larta, duke mbështetur rritjen e sektorit bankar dhe duke ofruar burime për të investuar në krijimin e aseteve të reja financiare, përfshirë këtu blerjen e instrumenteve të borxhit të qeverisë. Në mesin e këtij viti, rritja vjetore e depozitave bankare ishte pranë nivelit 8%.

Gjatë këtij viti, huamarrja e brendshme i është kthyer ritmeve normale dhe parashikohet në linjë me shtesën vjetore të huamarrjes që tregu vendas është i aftë të përthithë (afërsisht 50 miliardë lekë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë