Menaxhim

Dhoma e Përmbaruesëve: Kujdes nga mashtrimet telefonike mbi mbledhjen e borxheve

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë ka njoftuar publikisht se qytetarët dhe kushdo rrezikohen  nga fenomeni i “Mbledhjes së borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.

Sipas njoftimit, qytetarë në masë kanë marrë telefonata që u kërkojnë shlyerje kredish të vjetra bankare, detyrime të kompanive telefonike, apo të institucioneve të mikrokredisë. Telefonata u është shfaqur në numrin personal; në celularët e familjarëve, pa dallim, të moshuar apo të mitur, në qendrën e punës, në rrethin shoqëror dhe farefisnor, telefonata i ka përndjekur në ëhatsapp deri dhe jashtë shtetit.

Me qindra qytetarë kanë marrë shkresa, ku në emër të ligjit shantazhohen me njoftime apo lajmërime me karakter mashtrues si është titulli “Njoftim për bllokimin në gjykatë të pagës së palës debitore”. Tipologjia e shprehjeve me karakter ekzekutues përmbarimor përdoret gjerë në këto shkresa, ku në pjesën dërrmuese nuk shënohet fare emri dhe mbiemri i dërguesit, nënshkrimi dhe adresa e tij. Shkresat pothuajse anonime mbështeten vetëm mbi akronime të shoqërive që nuk janë zyra përmbarimi.

Telefonatat dhe shkresat që dalin nga e njëjta skemë shoqërish të lidhura me njëra-tjetrën, përdorin emrin dhe atributet e përmbaruesit për të shantazhuar qytetarët e thjeshtë dhe për t’i bërë ata, viktima të borxheve dhe detyrimeve të paqena.

Në njoftim thuhet se shumë qytetarë kanë rënë pre e kësaj skeme të mashtrimit publik, duke paguar borxhe ose detyrime financiare që nuk u përkasin, apo që nuk i korrespondojnë detyrimit real.

“U bëjmë thirrje qytetarëve dhe publikut të gjerë, të mos bien pre e telefonatave, komunikimeve apo njoftimeve mashtruese shkresore, pa adresa, pa emra apo identitete, pasi ato nuk kanë asnjë vlerë ligjore, por t`i denoncojnë menjëherë ato, në organet policore, Prokurorinë e Shtetit ose pranë Dhomës së Përmbaruesve, që angazhohet t`i ndihmojë për t’i orientuar ligjërisht ato.

Publiku dhe qytetarët duhet të dinë se, mbledhja e detyrimeve dhe ekzekutimi i tyre në Shqipëri bëhet vetëm nga përmbaruesit sipas ligjeve në fuqi dhe ata kanë emër, mbiemër, adresa dhe vula zyrtare.”

Ata nuk fshihen, as pas telefonatave, as pas shkresave anonime. Madje, përmbaruesit privatë mund t’i njihni edhe nga fotot që janë të publikuara për transparencë në Regjistrin e Përmbaruesve Gjyqësorë të Dhomës, në faqen zyrtare të saj.

Dhoma e Përmbaruesëve u bën thirrje kompanive “borxhmbledhëse” që të ndalojnë menjëherë mashtrimin e qytetarëve me shkresa, praktika dhe telefonata që imitojnë dhe përvetësojnë titullin e përmbaruesit gjyqësor. Të ndalojnë sot, pasi nesër do të jetë qytetari bashkë me përmbaruesin, të cilët do të gjejnë zyrat pa adresa të këtyre kompanive, nga ku do të denoncojnë ligjërisht dhe publikisht, të gjithë ata që do të guxojnë të vazhdojnë këtë veprimtari që vjedh dhe mashtron publikun.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë