Të hysh në mes të italianëve dhe kafes së mëngjesit nuk është e lehtë.
Por kryeministri Mario Draghi vendosi të merrte frenat e pandemisë duke u përpjekur të bindë italianët e pavendosur që të vaksinohen në mënyrë që të mbajë nën kontroll rritjen e rasteve të reja të paktën deri në fund të pushimeve verore.
Duke filluar nga e premtja, italianëve i është dashur të tregojnë certifikatën e vaksinimit për t’u ulur brenda kafeneve dhe restoranteve, si dhe në vende të tilla si kinematë, muzetë, pishinat dhe palestrat.
Dokumenti që vërteton se je vaksinuar gjithashtu do të kërkohet, që nga shtatori, për këto që dëshiron të përdorë trenin apo tragetet në distanca të gjata apo të hyjë në universitete. Kur shkollat të rihapen, të gjithë mësuesit duhet të jenë vaksinuar ose të përballen me pezullimin pa pagesë.
Shumë institucione kanë shqetësime se si do të funksionojë ky vendim në praktikë, veçanërisht pasi turistët kanë teste dhe certifikata vaksinimi në formate të ndryshme nga BE-ja.
Ministrat këmbëngulin se masat janë vendimtare për të frenuar rritjen e rasteve të koronavirusit ndërkohë që i lejojnë bizneset të qëndrojnë të hapura.
“Unë u them të gjithë italianëve: vaksinoni veten dhe respektoni rregullat,” tha Kryeministri Mario Draghi të premten para pushimeve verore të parlamentit.
Italia është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, duke regjistruar më shumë se 128,000 vdekje, bilanci më i lartë në Bashkimin Europian. Fushata e suksesshme e vaksinimit ka çuar në përmirësimin e situatës muajt e fundit, me më shumë se 62 për qind të popullsisë mbi moshën 12 vjeç që është vaksinuar plotësisht. Sidoqoftë, përhapja e variantit Delta po shkakton shqetësim, me 10 mijë raste të tjera të raportuara të dielën.
Italia po përballet me të njëjtën sfidë si qeveritë e tjera në të gjithë botën, pasi politikanët po gjejnë mënyra për inkurajimin e qytetarëve që të vaksinohen ndërsa varianti. Në këtë rast, Italia ka ndjekur drejtimin e Francës, duke nxitur të pasigurtët duke kërcënuar stilin e tyre të jetesës në vend që të ndjekë shembullin e Amerikës, e cila ka ofruar shpërblime financiare.
Tani për tani, vendimi për të ndaluar hyrjen e të pavaksinuarve në bare duket se ka efektin e dëshiruar, pasi i gjithë vendi ka shënuar një rritje të të vaksinuarve nga 15 në 200 për qind, sipas Il Sole. Ndërkohë, një sondazh zbuloi se pjesa më e madhe e italianëve e mbështetnin këtë vendim, me vetëm një të katërtën e të anketuarve që thonë se janë shumë kundër.
Por ata që janë kundër po bëjnë një fushatë të zhurmshme, duke i quajtur rregullat e fundit jo kushtetuese, diskriminuese dhe një sulm ndaj lirisë individuale. Protestat u mbajtën në 12 qytete italiane fundjavën e kaluar, me njerëz që mbanin parulla si “Kemi lindur të lirë dhe do të vdesim të lirë” apo “Pasaporta e skllavërisë”. Kjo lëvizje po fiton gjithashtu tërheqje në mesin e mbështetësve të lëvizjeve të djathta, pasi qytete të shumta bëhen gati për zgjedhje këtë vjeshtë.
Në mesin e mbështetësve janë pronarë të bareve dhe restoranteve, të cilët thonë se mospranimi i të pa vaksinuarve është një barrë shtesë mbi udhëzimet e rrepta tashmë në fuqi, si zvogëlimi i kapacitetit të bareve dhe restoranteve.
Në barin L’Angolo pranë sheshit San Giovanni të Romës, pronarja Sabrina Pieroni u shërbeu klientëve dhe kapuçinove të premten në mëngjes, ndërsa një prej punonjësve të saj kontrollonte kartat e gjelbra duke përdorur aplikacionin e ministrisë së shëndetësisë.
“Ne jemi sektori që ka vuajtur më shumë në pandemi,” tha ajo. “Vendimi i fundit është një problem për ne. Çdo gjë që duhet të kontrolloj do të thotë humbje kohe. Nuk është e këndshme të kërkosh nga klientët e rregullt dokumentet e tyre, si polic, dhe nuk do të jetë e këndshme nëse duhet t’i kërkoj të largohen.”
Disa biznese janë të vendosur të rezistojnë. Në Borgetto, në Palermo, një tabelë jashtë një palestre shkruan: “Këtu ne nuk kërkojmë kartën e gjelbër. Nëse e keni, mirë. Nëse nuk e keni? Ju pranojmë gjithsesi.”
Në qytetin plazh të Sardenjës, një pronar i një bari ka sfiduar po ashtu urdhrin e qeverisë, duke thënë se mospranimi i të pa vaksinuarvbe është një privim i të drejtave dhe një kujtesë e ligjeve racore të Italisë fashiste kundër hebrenjve.
“Unë jam duke ofruar solidaritet për ata që zgjedhin lirisht dhe në mënyrë legjitime të mos vaksinohen dhe të mos marrin kartën e gjelbër,” tha ai.
Në Itali, 2.7 milion njerëz mbi 60 vjeç ende nuk janë vaksinuar plotësisht. Totali i rasteve javore është rritur që kur filloi lehtësimi i masave izoluese në fund të qershorit, ndërsa përqindja e njerëzve që testojnë pozitivisht është rritur nga 2 në 11 për qind. Numri i shtretërve të kujdesit intensiv të zënë nga pacientët me COVID-19 është rritur gjithashtu.
Sikur të mos mjaftonte kjo, rajonet jugore të Italisë, të cilat janë ndër më të vizituarat nga pushuesit, janë gjithashtu duke i bërë rezistencë vaksinimit. Në Sicili, vetëm 51 për qind e popullsisë është vaksinuar në krahasim me 59 për qind në Lombardi./Politico.Eu/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.