Treg

Kredia për shtëpi u rrit me 13% nga viti 2019. Parashikohet më shumë në të ardhmen

Kredia e marrë për banesa  gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021 ka kaluar nivelet e 2019-s me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë, sipas Bankës së Shqipërisë, në komunikim me Gazetasi.al.

Krahasuar me fundin e 2019-s, rritja vlerësohet në 17%.

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash arriti vlerën e 133.5 miliardë lekëve ose pothuajse 1.1 miliardë eurove. Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 11%, ritëm ky ndjeshëm më i lartë se rritja mesatare e kredisë për ekonominë gjatë të njëjtës periudhë.

Në raportin e Aktivitetit Kreditues interesi për kredinë e banesave është shfaqur në rritje për gjatë të dy tremujorëve dhe pritet që tendenca të vazhdojë përsëri në rritje. Sipas BSH-së ky është tregues i stabilitet mikrofinanciar.

Për tremujorin e tretë, në pritje të rritjes së kreditimit për banesa parashikohet dhe lehtësimi i standardeve për kreditë e individëve për banesa, ku nuk pati masa të tilla gjatë dy tremujorëve të parë.

Banka raporton se niveli i kredidhënies për banesa është rritur si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistem bankar, si edhe prej perceptimit të bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve. Por gjithashtu edhe me zhvillimet aktuale në tregun e banesave (rritja e vlerës së tyre). Kjo lloj kredie ka gjithashtu raportin më të ulët të kredive me probleme.

BSH: Në vitin 2022 rikthehet inflacioni 3%

Banka e  Shqipërisë parashikon që inflacioni  të kthehet në objektivin e 3% në gjysmën e dytë të vitit 2022, në një komunikim me Gazetasi.al

Sipas Guvernatorit të BSH-së faktorët ndikues në inflacion, si  rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, ecuria e çmimeve në vendet partnere dhe pritjet për inflacionin, shfaqen të qëndrueshme, por janë ende të pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv.

Këto faktorë priten të fuqizohen tremujorin e tretë, por nuk do të mund të ndryshojnë brenda vitit 2021.

“Inflacioni mesatar i tremujorit të dytë u rrit në vlerën 1.8%, duke korrigjuar edhe rënien gjatë tremujorit të parë”,- u shpreh Guvernatori Sejko në një konferencë për shtyp.

Z.Sejko përmendi përsëri rritjen e çmimeve  të karburantit dhe artikujve ushqimorë, që nuk ndikoi ndonjë kategori tjetër.  Një muaj më parë, BSH e cilësoi këtë rritje si momentale, jo të përhershme.

“Në tërësi, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit ka qenë subjekt i luhatjeve të shpeshta e të papritura të faktorëve të ofertës, të cilat kanë shfaqur dhe pritet të kenë një ndikim kalimtar.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë