Treg

Në 6 muajt e parë të vitit shqiptarët paguan 3.1 mld lekë për sigurime vullnetare

Sigurimet vullnetare po mbajnë një peshë më të lartë në tregun e sigurimeve sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që tregojnë se për 6-mujorin 2021 sigurimet vullnetare sollën 37.9% të primeve të shkruara bruto në tregun e jo-jetës, nga 35.4% që ishte pesha e tyre një vit më parë.

 Ky është niveli më i lartë që sigurimet vullnetare arrijnë në strukturën e primeve për të paktën pesë vitet e fundit.

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët paguan rreth 3.1 miliardë lekë për sigurime vullnetare, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e peshës së tyre ka ardhur sidomos nga sigurimi i pronave nga katastrofat, sigurimi KASKO i automjeteve, sigurimi i aksidenteve dhe sigurimi i përgjegjësive civile.

Nga tetë kompani të sigurimit të jo-jetës, vetëm dy prej kanë një dominim të sigurimeve vullnetare në strukturën e primeve. Për Albsig, sigurimet vullnetare sjellin 58% të primeve të shkruara bruto, ndërsa për Sigal Uniqa Group Austria 51% të tyre.

Për kompanitë e tjera, pjesa e sigurimeve vullnetare është dukshëm më e ulët dhe qëndron në intervalin mes 18% dhe 27% të primeve të shkruara bruto.

Pavarësisht rritjes së lehtë në peshën specifike të sigurimeve vullnetare, tregu i sigurimeve në Shqipëri ngelet i dominuar nga sigurimet e detyrueshme motorike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë