Financa Personale

Depozitat vijuan rritjen në qershor, shtohen ndjeshëm ato në euro

Depozitat vijuan të kenë një tendencë rritëse edhe për muajin qershor,të udhëhequra nga shtimi i fortë i kursimeve në valutë.

Stoku i depozitave në fund të qershorit arriti një tjetër rekord të ri prej 11.5 trilionë lekë ose 9.2 miliardë euro duke u rritur me 0.01% në krahasim me muajin maj, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.(BSH)

Këtë vit, rritjen më të lartë po e shënojnë kursimet në valutë të cilat në qershor ndikuan në 71% të rritjes mujore të kursimeve.
Rritja e depozitave në valutë ishte +8.1 miliardë lekë në qershor, më e larta që nga muaji dhjetor, periudhë e cila përgjithësisht ka një shtim të kursimeve në euro për shkak të kthimit të emigrantëve.

Ndikim në shtimin e depozitave në valutë kanë dhënë dhe bizneset, që kanë ndikuar në gjysmën e rritjes në muajin qershor. Bankierët thonë se përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e punëve publike nga shteti ka ndikuar në shtimin e likuiditeteve të bizneset.
Në fund të muajit qershor, pesha e depozitave në valutë ishte 53.9%, nga 53.4% në dhjetor.

Me bazë vjetore depozitat në total janë rritur me 8.6%, ose me 90.6 miliardë lekë (rreth 730 milionë euro).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë