Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po blen këtë verë më shumë energji për të plotësuar nevojat për konsum.
Gjatë qershorit dhe korrikut janë hapur disa procedura të cilat parashikonin sigurimin e energjisë për korrikun duke akumuluar në total një vlerë blerjeje prej 5.2 milionë euro.

OSHEE parashikon që edhe në gusht të ketë blerje nga tregu për të plotësuar nevojën për konsum dhe kjo duket qartazi edhe nga një procedurë e fundit e hapur që kërkon blerje energjie për periudhën 1-31 gusht.
Për disa muaj OSHEE arriti të siguronte energji në sasi të konsiderueshme edhe nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë ato hidrocentrale me kapacitet deri në 15MW për të cilat kompania ka detyrimin e blerjes sipas çmimit që caktohet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë.
Një pjesë të energjisë OSHEE e siguron nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e cila gjatë kësaj periudhe është përfshirë në një fazë optimizmi duke shitur energji në pik dhe duke blerë në jashtë orarit të pikut.
Edhe për KESH viti 2021 po paraqitet më mirë në prodhim ndryshe nga viti i kaluar ku situata hidrike detyroi edhe vetë Korporatën që të bënte blerje energjie në disa raste ndërkohë që niveli në kaskadën e Drinit ishte i ulët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




