Treg

Primet në tregun e sigurimeve arritën në 17.5% në fund të 6-mujorit

Primet e shkruara bruto të tregut të sigurimeve janë rritur më tej gjatë muajit qershor.

Për 6 mujorin e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto u rritën me 17.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Rritja është e shtrirë edhe në numrin e kontratave të sigurimit, që këtë vit janë zgjeruar me 7.5%, duke rikuperuar nga rënia e vitit 2020.

Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës për 6-mujorin u rrit me 16.1%.

Kjo rritje përfshin pothuajse të gjitha klasat kryesore të sigurimit. Ndër klasat me peshë në strukturën e primeve, ritmet më të larta të rritjes vazhdon t’i ruajë sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, me gati 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në numër kontratash rritja është më e kufizuar, me rreth 15% më shumë ndaj vitit të kaluar.

Ndër produktet e tjera vullnetare, rritje me më shumë se 30% kanë shënuar edhe sigurimi Kasko i automjeteve dhe sigurimi i mallrave në transport.

Segmenti i sigurimeve të detyrueshme motorike, është rritur me 11.6%, i udhëhequr sidomos nga rritja e sigurimeve të brendshme TPL dhe e policave të sigurimit kufitar.

Megjithatë, pesha e këtij grupi të produkteve këtë vit paraqitet në rënie të lehtë dhe përbën 62% të primeve të shkruara bruto, nga 64.5% që zinte një vit më parë.

Tregu i sigurimit të jetës po regjistron rritje edhe më të lartë, me 38% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pesha e tregut të jetës është rritur në 7.7%, nga 6.5% që kishte qenë një vit më parë. Edhe këtu rritja pjesërisht është ndikuar nga ndryshimi i ndjeshëm i bazës krahasuese me një vit më parë, me disa prej produkteve që kanë shënuar rigjallërim në pjesën e parë të vitit. Megjithatë, produkti përcaktues për nga vlera e rritjes ngelet sigurimi i jetës së debitorëve, ku primet këtë vit janë zgjeruar me 35.3%.

Ky produkt është i lidhur ngushtë me kredinë bankare për blerjen e pasurive të paluajtshme, që këtë vit po rritet me ritme shumë të larta. Duke qenë se kredimarrësit janë të detyruar të sigurojnë jetën në një vlerë të paktën sa shuma e kredisë, kjo është reflektuar edhe në më shumë prime sigurimi për shoqëritë e sigurimit te jetës. Sigurimi i jetës së debitorit dominon tregun e sigurimit të jetës, me mbi 66% të primeve të shkruara bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë