Për të katërtin vit radhazi, “Mik Festival” u rikthye për katër net me radhë nga 21-25 korrik në Korçë, ku bëri bashkë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj.
Ndryshe nga vitet e tjera, ky festival njohu më shumë zgjerim të kufijve rajonalë duke shkuar për herë të parë në Kolonjë, por edhe në mrekullitë e liqenit të Prespës, në Malingrad.
Pas periudhës së vështirë të pandemisë, magjia e muzikës së zgjedhur erdhi plot ngjyra dhe frymëzim në Korçë.
Në ditën e fundit të festivalit, që u zhvillua në ishullin e Maligradit, nën tingujt e muzikës dhe magjinë që ofron Prespa përmes bukurive të saj, u zhvillua koncerti A cappella “Nën tingujt e Zanave”, interpretuar nga ansambli vokal “Zanat”.
Po ashtu violinisti i njohur, Olen Cezari, mbylli këtë festival mbrëmjen e djeshme me një koncert në Prespë, ku interpretuan edhe këngëtarja Francesa Carli dhe Michael Rodi në piano.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, etj.
Duke falënderuar të pranishmit, ministri Klosi tha se “pandemia bëri shumë të këqija në botë, por për ne shqiptarët bëri që të vizitojmë më shumë Shqipërinë. Organizimi i këtij festivali këtu në këtë vend lindi si shkak i pandemisë. Duke kërkuar që të gjenim më të bukurën tonë, ne krijuam këtë festival, mbështetëm idenë gjeniale të Inva Mulës, Niko Peleshit, Sotiraq Filos, për të krijuar një ngjarje kaq të madhe turistike, në vendin tonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











