Menaxhim

Projekti i Strehimit të Abu Dabit me vlerë 70 mln dollarë në Durrës do ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) parashikohet të jetë njësia zbatuese për ndërtimin e infrastrukturës publike të projektit të strehimit me vlerë 70 mln dollarë që do të financohet nga fondi i Abu Dabit për ngritjen e 2 mijë apartamenteve në qarkun e Durrësit.

Vendimi për caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit , si “njësi zbatuese”, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës është miratuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, si dhe i është propozuar për miratim Këshillit të Ministrave.

Sipas vendimit të miratuar në dhjetor të 2020, projekti synon të rigjenerojë zona në qarkun e Durrësit dhe zona të tjera që janë prekur nga tërmeti. Projekti përfshin zhvillimin dhe ndërtimin e rreth 2 mijë njësive të banimit nga një zhvillues i pasurive të paluajtshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpër vende të shumta të qarkut të Durrësit, duke përfshirë financimin e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme.

Në raportin e Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit u vlerësua se shuma e nevojshme për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti ishte 1 miliardë euro. Në janar u mbajt në Bruksel konferenca e donatorëve ku qeveria arriti të sigurojë 1.15 miliardë lekë të shumës së kërkuar. Por, 74% e tij është borxh me kushte të buta, që nëse do të përdorej përnjëherë do ta rriste borxhin publik me 7 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Në total nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë” u mblodhën 1,15 miliardë euro fonde për rizhvillimin e zonave të shkatërruara. Nga totali i fondeve të mbledhura, sipas raportit zyrtar të dhënë nga Komisioni Europian reth 296 milionë euro janë donacione, ndërsa huatë arrinin 853 milionë euro.

Nga totali i fondeve 3.4 milionë euro të tjera ishin të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime).

Huaja përbën 74% të angazhimit total të përfituar, 25.6 për qind janë donacion dhe 0.4% është angazhim në produkte konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë