Politike

Porti i Durrësit/ PD: Aferë madhore korruptive. Balluku: Investim strategjik

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku mbrojti projektin e Portit të Durrësit nga foltorja e Kuvendit ku u thirr në një interpelancë nga deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj.

Xhaferaj tha se projekti është afera më e madhe korruptive në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, me një vlerë prej 2 miliardë eurosh. Ai akuzoi për mungesë transparence dhe ngriti dyshime se pas këtij projekti nuk qëndron kompania e biznesmenit arab, Alabbar.

Deputeti demokrat akuzoi se Porti i Durrësit është projekti i parë korruptiv i një marrëveshjeje korruptive, që sipas tij, është nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe në nenin 6 citohet se kjo marrëveshje nuk i nënshtrohet asnjë procedure prokurimi publik. Palët kanë rënë dakord për një listë projektesh specifike që konsiderohen të natyrës strategjike dhe i pari është Porti i Durrësit. Pra, nuk ka garë, nuk ka tender, nuk ka konkurrencë”, tha ai.

Sipas Xhaferajt, projekti për Portin e Durrësit bie ndesh me marrëveshjen e stabilizim-asociimit të nënshkruar me Bashkimin Europian dhe cenon sigurinë kombëtare të vendit.

Por, ministrja Belinda Balluku tha se projekti do të shpëtojë qytetin e Durrësit dhe qytetarët nga ndotja që i shkakton porti i mallrave. Ajo këmbënguli se do të jetë një investim i Alabbar dhe grupit të tij multimiliarder, Emmar përmes kompanisë “Symphony Invest Limited”, të regjistruar në ishujt Kajman.

"Investimi vjen nga kompania Symphony, që është pronë e Alabbar. Është një projekt që përfshin 79 hektarë nga Porti i Durrësit. Ndërtimi i marinës dhe strukturave akomoduese synon punësimin e 12 mijë punonjësve, përgjatë të gjitha fazave. Projekti do të përbëhet nga mbi 12 mijë banesa sociale, 5 hotele, dhe gjithsej 850 dhoma, përfshin 80 mijë/metra katror park dhe hapësira, të përhapura 700 metra plazh të gjatë dhe 280 për anije”, tha ajo.

Balluku akuzoi opozitën se po pengon zhvillimin e vendit me akuzat e hedhura prej saj ndaj projektit të Portit të Durrësit.

“Si ka mundësi që kur ky grup investon në Mal të Zi kritikohemi se përse nuk erdhi në Shqipëri, bëhemi xhelozë. Por, kur vjen në Shqipëri themi është projekt e investim korruptiv”, deklaroi ajo.

Ministrja deklaroi se projekti do të përmirësojë pamjen e qytetit, ekonominë e gjithë vendit, e do ta kthejë Shqipërinë në një destinacion turistik më tërheqës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë